Ende nuk është ngritur aktakuzë e as nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri më tani në rastin e sulmit ndaj të moshuarës brenda qendrës “Orenda” në Pejë, në nëntor të vitit të kaluar.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
“Lidhur me pyetjet se a është mbajtur ndonjë seancë apo kur pritet të mbahet, ju njoftojmë se përveç seancës dëgjimore për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, seancat e tjera gjyqësore mbahen pas ngritjes së aktakuzës. Në këtë çështje penale, gjykata deri tani nuk ka pranuar aktakuzë”, thuhet në përgjigjen e saj për Reporteri.net.
Edhe nga Prokuroria e Pejës kanë thënë për Reporteri.net se aktakuza nuk është ngritur ende, pasi rasti është duke u hetuar.
“Jo, ende nuk është ngritur, rasti është duke u hetuar”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.
Por ato u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Supreme më 25 nëntor të vitit të kaluar.
“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm P.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhej në aktgjykim.
Videoja ku shihej se si një e moshuar keqtrajtohej brenda qendrës “Orenda” në Pejë nxiti reagime të shumta në publik.
Pas këtij rasti, katër infermiereve Oda e Infermierëve të Kosovës ua ka hequr licencat e punës.
Kurse, qendrës “Orenda” iu revokua licenca. /Reporteri.net/