Prokuroria e Pejës ka nisur hetimet pasi një prind ka akuzuar mjekët për neglizhencë në rastin e vdekjes së foshnjës së tij të porsalindur në Spitalin e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës Shkodran Nikçi ka thënë se tashmë Policia e Kosovës është autorizuar për hetimin e këtij rasti.
“Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore nga Policinë e Kosovës për ketë rast. Gjithashtu, është kërkuar të bëhet obduksioni nga Instituti i Mjekësisë ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes se foshnjës”, ka thënë Nikçi për Reporteri.net.
Rasti i vdekjes së foshnjës është bërë i njohur në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës.
“HETIM I VDEKJES/Rr. Nënë Tereza, Pejë 08.03.2023 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në Spitalin e Pejës gjatë lindjes, foshnja ka vdekur dhe sipas ankuesit (babai) dyshon që ka qenë neglizhencë e stafit mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e PK-së./Reporteri.net.