Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është pyetur lidhje me pikëpamjet e ndryshme lidhur me të ashtuquajturin “vetë-menaxhim” të komunitetit serb në Kosovë, që përmendet në Nenin 7 të marrëveshjes së arritur në Ohër.
Kurti ka thënë se është e rëndësishme të bëhet e ditur se vetë-menaxhimi nuk nënkupton vetë-qeverisje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai deklaroi se kjo nuk është e njëjtë me Asociacionin, pasi sipas tij, në propozim flitet për vetë-menaxhim të komunitetit serb, e jo të komunave me shumicë serbe.
“Së pari duhet ta kuptoni që vetë-menaxhim nuk është vetë-administrim, nuk është vetë-qeverisje. Kjo është shumë e rëndësishme, është vetë-menaxhim. Dhe, këtu thotë, vetë-menaxhim i komunitetit serb. Nuk thotë i komunave me shumicë serbe”, deklaroi Kurti në RTK.
Kurti tha se në shërbim të komunitetit serb është edhe marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
“Dhe, nga pikëpamja ime, e cila do të mund të konfirmohet nga cilido jurist serioz, që kur thua vetë-menaxhimi i komunitetit serb, në fakt e ke si instrument marrëveshjen kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, që është tejet e avancuar dhe pozitive. Edhe, në të, ne mund të gjejmë të gjitha zgjidhjet e nevojshme për ata serbë të cilët mund të mendonin se propozimi i planit të Ahtisaarit paska qenë i pamjaftueshëm”, tha ai. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.