×
  • Lajme
  • Lajme

    Sërish s’ka kuorum, dështon seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës

    Reporteri
    19 Prill 2023 | 13:09

    Nuk ka pasur sërish kuorum që të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila paraprakisht është shtyrë për në orën 12:30.

    Pas rreth 30 minutash, kryeparlamentari Galauk Konjufca njoftoi se Kuvendi sërish nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar me seancën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Konjufca paraprakisht ka kritikuar deputetët duke thënë se kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.

    “Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.

    Kuvendi planifikoi të mblidhej sot për gjashtë seanca të papërfunduara.

    Edhe javën e kaluar, një seancë nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas mungesës në dy seanca radhazi të kuorumit në Kuvendin e Kosovës.

    Çitaku ka akuzuar VV-në se ani pse ka 50% të votave po dështon që të sigurojë shumicën e nevojshme, dhe se një gjë e tillë është papërgjegjësi nga ana e VV-së.

    “Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.

    Mirëpo, për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, Kuvendi i Kosovës ka pasur kuorum për të filluar seancën e paraparë në orën 10:00, pasi në sallë, sipas saj ishin prezentë rreth 90 deputetë.

    “Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum – pra kur janë 61 deputetë prezent. Ne ishim rreth 90”.

    Problemi gjithë në këtë mes, sipas deputetes, qëndron në atë se pozita po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë, pa e llogaritur fare opozitën.

    “Pra, ne kot shkojmë aty, sepse rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Kica-Xhelili në rrjetin e saj social në Facebook.

     

    Konjufca nervozohet me deputetët: Sjellje e papërgjegjshme, kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!