×
  • Lajme
  • Pa kategori

    LDK-ja me akuza ndaj VV-së për qeverisjen në Gjilan: Për inate politike i anashkaluan projektet e nisura nga ne

    Reporteri
    06 Maj 2023 | 19:28

    Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka akuzuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë për disa projekte. Sipas LDK-së, VV-ja po i trajton si të huaja projektet të cilat i kanë lënë të gatshme për t’i vazhduar.

    Sipas LDK-së projektet që për inate politike nuk po i vazhdon VV-ja janë magjistralja Gjilan-Bujanoc, Gjilan-Ferizaj, Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, stadiumi i qytetit, fshati i lumtur e disa projekte të tjera.

    “Qeverisja aktuale komunale po i trajton si të huaja projektet të cilat ne lamë të gatshme për t’i vazhduar. Në katër anët e qytetit është krijuar vetëm pluhur e tollovi, si pasojë e inateve politike, neglizhencës e mosdijes së kësaj administrate.Magjistralja Gjilan-Bujanoc, magjistralja Gjilan-Ferizaj, magjistralja Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Stadiumi i Qytetit, Fshati i Lumtur dhe shumë projekte të tjera, duket se nuk janë projekte me rëndësi për qeverisjen qendrore dhe lokale, ashtu siç janë për qytetarët e Gjilanit” thuhet në njoftimin e tyre.

    Sipas tyre është e papranueshme që projektet të trajtohen me inate politike ani se kanë nisur në qeverisjen e LDK-së.

    “Është e papranueshme që projektet të trajtohen me inate politike, sepse pavarësisht që ato janë nisur në mandatin e LDK-së, para se gjithash, janë projekte të qytetarëve tanë dhe jo të partive politike. Qeverisja e udhëhequr nga kryetari z. Haziri punoi shumë që të përfitojmë besimin nga donatorët dhe qeveritë e ndryshme që u ndërruan, dhe së bashku me zyrtarët komunalë, arritëm që të përfitojmë grante dhe projekte të mira për komunën tonë”.

    “Mos i ndëshkoni sportistët, mos i ndëshkoni rastet sociale, mos i ndëshkoni qytetarët tanë, sepse nuk ua kanë me borxh këtë pasivitet e mosdije në qeverisje!”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!