I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak tha se Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar nga kryetarët ne rinj në katër komunat në veri që të mos pranojnë mandatet e tyre.
Lajçak e tha këtë pas takimit në Qeveri me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ndërmjetësi evropian bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të qëndrojë edhe në veri të Mitrovicës, për të kuptuar nga afër situatën, teksa tha se shpreson të ketë një zgjidhje politike.
“Dhe sot pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, do të takoj vendasit atje, dua të kuptoj nga afër situatën atje dhe shpresoj shumë se do të ketë një zgjidhje politike që do të mundësojë të gjithë ne të fokusohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha Lajçak.
Ai bëri të ditur se ditën e sotme do të qëndrojë edhe në Mitrovicë ku do të takohet edhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
“Po shkoj në veri, por me mua është me rëndësi të bisedoj edhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut dhe të dëgjoj edhe perspektivën e tij për situatën”, u shpreh Lajçak.
Pas takimit me kryeministrin, Lajçak ka thënë se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti për hapat tutje në rrugën drejt normalizimit.
Ai po asht ka bërë të ditur se të hënën në Bruksel do të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh.
“Isha në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin Bisilimi për rrugën përpara normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme se kemi kuptim të plotë për hapat dhe diskutime të rëndësishme për të gjitha aspektet. Do të kem diskutimet e njëjta nesër në Beograd dhe të hënën në Bruksel do të takohem me kryengociatorët nga të dy vendet. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin dhe duhet të ide të qarta për hapat në vijim. Kishim diskutime intensive dhe shumë të rëndësishme me kryeministrin Kurti”, u shpreh Lajçak.