×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shtëpinë e keni në zjarr”, porosia e Hovenierit s’bie në veshët e Kurtit dhe Osmanit, udhëtojnë jashtë “pa e shuar flakën”

    Autor:Linda Ibrahimaj
    31 Maj 2023 | 11:57

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se Kurti ka “shtëpinë e tij” në zjarr dhe duhet punuar për “ta shuar”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Këtë porosi për kreun e Qeverisë, ambasadori Hovenier e dha gjatë një takimi të mbajtur dje me gazetarë, ndërsa e cilësoi situatën vërtetë urgjente.

    Ai gjithashtu u shpreh se nuk do të shihet durim nga ShBA-ja me pritjet nga Qeveria e Kosovës, dhe se duhet të ketë veprim të menjëhershëm që situata në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të de-përshkallëzohet.

    “Ne mendojmë se kjo është një situatë me të vërtetë urgjente. Është si ta keni një shtëpi të kapluar nga zjarri. Ju duhet ta shuani zjarrin. Andaj nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me pritjet tona nga Qeveria, duhet të ketë veprim tani që të shpërshkallëzohet situata në veri. Dhe më leni të jem i qartë, janë dy gjëra që po kërkojmë nga qeveria që t’i bëjë, për ta shpërshkallëzuar situatën”, tha Hovenier, ndërsa shtoi se do të çuditej nëse do të kishte takime bilaterale të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe anasjelltas.

    “Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas”, tha ai.

    Kosova “është në zjarr”

    Por, porosia e ambasadorit amerikan nuk ka “arritur” në veshin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit edhe përkundër trazirave në komunat veriore, mëngjesin e së mërkurës është nisur drejt Bratislavës për të marrë pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”, ani pse dje Qeveria në një përgjigje dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, tha se pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti ishte në pikëpyetje.

    “Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, ka thënë për Reporteri.net, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Megjithatë, kreut të Qeverisë, në Bratisllavë iu desh të merret me çështjen e veriut. Kjo pasi atje takoi Shefin e Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, si dhe Ndërmjetësin Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Kurti tha se Borrellit dhe Lajçakut ua ka bërë të qartë se “do të kishte pasur mirëkuptim nëse protesta e serbëve në veri do të ishte paqësore”.

    Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, qëndrimi i Kryeministri kosovar në Bratislavë do të jetë njëditor dhe Kurti “brenda ditës do të jetë në Kosovë”.

    Por, jo vetëm shefi i ekzekutivit, por edhe e para e vendit, Vjosa Osmani, mëngjesin e 31 majit ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

    Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

    “Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, u tha në njoftim.

    Ndërsa, ndryshe nga dy krerët, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ndodhet në Kosovë. Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli.

    “Po, Kryetari ndodhet në Kosovë”, tha shkurtimisht Kërçeli.

    Ndryshe, dje, të martën e 30 majit, ambasasdori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier bëri të ditur se ShBA ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë.

    Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ndërsa ai i dyti “moslobimi te shtetet mosnjohëse”, ndërsa paralajmëroi se do të ketë edhe veprime tjera ndaj Kosovës.

    Në anën tjetër, Kryeministri Kurti mbrëmë deklaroi e nuk do të zmbrapset kundër, siç tha ai, milicisë serbe që po kryeson protestat e dhunshme në veri.

    Në një intervistë për CNN, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka siguruar pamje me video dhe foto të pjesëtarëve të milicisë serbe, që janë dërguar nga Serbia për të destabilizuar veriun e vendit.

    Serbinë, Kurti e quajti “autokraci pro-ruse”.

    “Kemi dhjetëra video-filmime dhe foto të cilat tregojnë se milicia serbe është në vijën e parë të turmës së dhunshme, këta janë njerëz që i kemi identifikuar që vijnë nga Serbia. Fqinji ynë Serbia është një autokraci pro-ruse, kështu që atje nuk ka shumë demokraci. Kanë urdhëruar xhandarmërinë që të vijë dhe të bëjë trazira në veri të Kosovës”, tha Kryeministri Kurti. /Reporteri.net/

    Ambasadori Hovenier: Kosova nën sanksionet e SHBA-së, na vije keq që kemi ardhur deri këtu

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!