Një konfuzion mes ‘fantazisë’ dhe ‘realitetit’ është shpërfaqur sërish me anë të tastierave të deputetëve të partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Ata po shajnë mediat vendore për një artikull që po del të jetë artikull i sponsorizuar në revistën prestigjioze britanike “The Economist”.
The Economist – revista prestigjioze britanike – para pak javësh ka botuar një artikull ku e lavdëron ekonominë e Kosovës. Artikulli në fjalë del të jetë artikull i sponsorizuar, i porositur nga Oda Ekonomike e Kosovës, dhe këtë e thekson edhe vetë botuesi që në hapje të linkut.
Megjithatë, sot, këtë artikull, LVV’ja – përmes zëdhënësit të saj, Arlind Manxhuka e deputetëve Artan Abrashi e Fitore Pacolli – u munduan ta shesin si arritje. Natyrisht, në përpjekje për të dezinformuar dhe propaganduar qytetarët në favor të pushtetit, që në javët e fundit është përballur me skandale të njëpasnjëshme korrupsioni.
Artikulli i sponzorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në “The Economist”, titullohet “Kombi i start-upeve – Qysh kompanitë kosovare po kapërcejnë pritjet për ta çuar shtetin përpara”.
“Kontenti i përshtatur është shkruar, prodhuar apo kuruar qoftë nga një sponzor apo nga Studiot EI, vizioni i përshtator i Economist Impact. Të tilla vendosje në mënyrë të qartë etiketohen si Reklama, pjesë e Reklamash, përmbajtje e Sponzorizuar, perspektivë e Sponzorizuar apo fjalë të ngjashme kurdo që paraqiten në uebsajtin apo aplikacionet tona. As ekipi redaktorial e as ekipi i lajmeve e as ekspertët e pavarur të Economist Impact nuk janë përfshirë në asnjë formë në krijimin e kësaj përmbajtjeje”, shpjegon “The Economist” në artikullin në fjalë, që fillimisht RTK’ja e më pas pushtetit u munduan ta shesin si diçka madhore për vendin.