Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti ka vizituar policin e plagosur pas të shtënave në Banjskë, ku i vdekur mbeti edhe një rreshter i Policisë.
Kurti ka thënë se operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Polici i plagosur do të lirohet sot nga spitali.
Kurti po ashtu ka bërë të ditur se në ora 10:00 do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës pas ngjarjeve në veri, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.
Tash në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti. /Reporteri.net/