Pas sulmit terrorist në Zveçan, mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, kanë takuar Korin Diplomatik, i përbërë nga të gjithë ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Kosovë.
Ky takim ka shërbyer që, para syve të përfaqësuesve të ndërkombëtarëve, të paraqiten qëndrimet zyrtare të Kosovës karshi sulmit terrorist, si dhe të kërkohet që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë atë. Kori Diplomatik “ka marrë shënime” për qëndrimet e institucioneve të Kosovës, e që pritet të përcillen në instanca më të larta, shkruan Reporteri.net.
“Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtar, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla, i njoftuan ata mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës karshi këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës”, bën të ditur njoftimi.
U theksua edhe se Kosova e ka trajtuar këtë rast me maturi e profesionalizëm duke treguar se institucionet e sigurisë janë në shërbim të qytetarëve.
“Gjatë takimit të njëjtë, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.
Në këtë mbledhi, Kurti dhe Gërvalla kanë përsëritur vullnetin e Kosovës për të bashkëpunuar me ndërkombëtarët në përpjekje për vendosje të paqes në rajon.
“Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon”, thuhet në fund. /Reporteri.net/.
Njoftimi i plotë: