Vrasja e Liridona Ademajt më 29 nëntor në Prishtinë ka shkaktuar reagim të madh publik me kërkesa për ndaljen e dhunës mbi baza gjinore dhe vrasjes së grave.
Derisa ky rast është në fillim të hetimit nga organet e drejtësisë, ka shumë raste që janë kritikuar se si u trajtuan nga drejtësia në Kosovë.
Thuajse saktësisht një vit më parë, Hamide Magashi u vra nga bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së. Magashi ishte 35 vjeçe dhe në javën e fundit të shtatzënisë. Ajo u vra edhe pse kishte urdhër mbrojtje nga Policia ndaj bashkëshortit të saj.
Vrasësi iku nga vendi i ngjarjes dhe vrau veten.
Pak ditë para vrasjes së Hamides, në Prishtinë u vra Sadije Godeni, 63 vjeçare. Vrasjen e Sadijes me sëpatë e pranoi bashkëshorti i saj, i cili më pas u dënua me 25 vjet burgim. Në fshatin Laushë të Skënderajt, në janar të vitit 2022 u vra, Lirije Qerimaj, 48 vjeçe.
Për vrasjen e saj u dënua bashkëshorti me 24 vjet burgim. Edhe Lirija kishte kërkuar urdhër të mbrojtjes pasi bashkëshorti kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
Një rast tjetër që tronditi publikun ishte rasti i maltretimit dhe vrasjes së 18 vjeçares, Marigona Osmani në vitin 2021. Daradan Krivaqa tanimë i dënuar me burgim të përjetshëm ushtroi dhunë ekstreme për dy ditë me radhë derisa ajo vdiq nga plagët. Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre. Familja e Marigona Osmanit u shpreh e zhgënjyer për dënimin ndaj tij.
Organizata vendore e ndërkombëtare në vazhdimësi kanë kritikuar autoritetet që nuk po bëjnë mjaftueshëm për ndaljen e dhunës ndaj grave.