Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.
Në këto rezultate, Kosova e ka zënë vendin e 74-të në matematikë – fushën kyçe në testim.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ka më shumë se një faktor që ka ndikuar në këtë rezultat të dobët, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nuk mund të them se cili saktësisht është një fajtor por ka më shumë sesa një faktor që ka ndiku në këtë rezultat për një kohë të gjatë tashmë.”, tha ndër të tjera Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media.
Ajo ka përmendur ndër të tjera edhe problemet me mësimin gjatë pandemisë.
Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.
Rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.
Testi PISA është paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ky lloj testi bëhet çdo tre vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, si dhe teston një mostër të nxënësve 15-vjeçarë në një vend. /Reporteri.net/