Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Kryesisë ka dështuar që ta zgjedhë kandidatin për kryeministër nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor të këtij viti.
As kjo mbledhje e LDK-së nuk kaloi pa zhvillime interesante, ku aty nuk morën pjesë pjesë Agim Veliu dhe Lutfi Haziri. Bojkotimi i mbledhjes së fundit të kryesisë nga këta të fundit thuhet se ka të bëj me kandidaturën e mundshme për kryeministre të Vjosa Osmanit.
Si pasojë e këtyre pakënaqësive zgjedhja e kandidatit për kryeministër është shtyrë për ditën e hënë.
Gjithë këto zhvillime duket se kanë irrituar përkrahësit e LDK-së të cilët përkrahin kandidaturën e Vjosa Osmanit. Ata kanë vërshuar me komente në profilin e Avdullah Hotit, i cili përmes një postimi ka bërë të ditur moton e kësaj partie për fushatën zgjedhore që pritet të fillojë së shpejti.
“BesëLidhja” , ka shkruar Hoti në postimin e tij në rrjetin social duke lënë të kuptohet se
kjo mund të jetë motoja e kësaj partie për fushatën zgjedhore që pritet të fillojë së shpejti.
Poshtë këtij postimi kanë komentuar numër i madh i përkrahësve të LDK-së duke kërkuar që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre në radhët LDK-së. Disa prej tyre madje kanë kërkuar që edhe në rast të koalicioneve parazgjedhore, LDK assesi të mos lëshojë pe për postin e kryeministrit, në krye me Vjosa Osmanin.
Në asnjë nga komentet nuk shihet të jetë përmendur emri i Lutfi Hazirit, i cili thuhet se bojkotoi mbledhjen e LDK-së për shkak të pakënaqësive lidhur me kandidaturën e mundshme për kryeministre të Vjosa Osmanit. /Reporteri.net