Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka shqetësim për raportet e Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, të cilat siç raportoi gjatë ditës së djeshme gazeta online Reporteri.net kanë kaluar në pikën që SHBA-ja ka vendosur një ‘masë kufizuese’ ndaj kryeministrit Kurti, duke limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me shefin e ekzekutivit të Kosovës.
Për këto shqetësime brenda VV-së ka folur mbrëmë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.
Deputeti Korenica ka thënë se ka deputetë brenda VV-së që janë të shqetësuar për raportet me SHBA-në.
“I marrim me shqetësim, i diskutojmë në takime me grupin parlamentar, por që pajtohem. Ka njerëz që janë të shqetësuar sa i përket situatave kur kemi këtë mospëlqyeshmëri të situatave të caktuara të cilat dalin publike nga SHBA. I trajtojmë me shqetësim që të mos cenohen raportet. Nuk besoj që raportet cenohen me qëllim, sepse atëherë do ishin skandaloze”, ka thënë ai në RTV Dukagjini teksa ka komentuar raportimin e gazetës online Reporteri.net.
Korenica ka thënë se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do jetë tepër shqetësuese.
“SHBA-ja është partnere shumë e rëndësishme, na ka ndihmuar në shumë procese që i kemi kaluar dhe i kalojmë. Jam i bindur se Qeveri mban kontakte javore me përfaqësues të SHBA-së në Kosovë, me Hovenier. Qeveria do të merret me këtë situatë apo këtë deklaratë apo vendimmarrje që pritet ndoshta të jetë e konfirmuar, nuk e dimë tani për tani. Qeveria ka bashkëpunim ditor e javor dhe të thellë me SHBA-në, që janë partner të rëndësishëm në rrugën tonë”, ka thënë Korenica.
“Masa ndëshkuese” e SHBA-së ndaj kryeministrit Kurti, për të cilën nga Qeveria e Kosovës mohojnë se ekziston, del të ketë filluar zbatimin dhe u pa gjatë qëndrimit dy ditor në Prishtinë të Erin McKee, Ndihmësadministratores së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID.
McKee, konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë, përzgjodhi se kë do që ta takojë gjatë vizitës në Kosovë. “Ndihmës-Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj“.
Për dallim nga shefi i ekzekutivit, zyrtarja e lartë amerikane, presidentes Vjosa Osmani i shkoi në takim ku theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë perkushtimin ndaj Kosovës, pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të caktuara”.
Ndëshkimi amerikan për Kurtin – kaq hapur – ndodhë për herën e parë, por jo edhe për anëtarë të kabinetit të tij. Në nëntor të vitit 2022, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa zyrtarëve të tjerë qeveritarë, SHBA ua kishte ndaluar një vizitë në Washington, si ndëshkim për vendimin e Kurtit për targat që ishte pasuar me “krizën e madhe” në veri.
“Mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, kishte konfirmuar në atë kohë thënë ambasadori Hovenier.
Veprimet “e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës dhe tensionet në veri të vendit, Kosovës, qysh verën e vitit 2023 po i kushtojnë edhe me “masa kufizuese” nga Bashkimi Evropian – që në vend janë quajtur edhe sanksione. /Reporteri.net/.