Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit.
Szunyog theksoi se ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
“Një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë! Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit & regjistrimi i tokës së manastirit më në fund bëhet realitet”, shkroi Tomas Szunyog në platformën X.
“BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës”, ka shkruar Szunyog.
Vendimin e Qeverisë së Kosovës për tokat e Manastrit të Deçanit e ka përshëndetur sot edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar pas takimit që kishte me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Escobar tha se ky ishte një vendim i vështirë për Kosovën, por hap i domosdoshëm.
“Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.
Escobar: Vendimi i sotshëm i Qeverisë për Manastirin e Deçanit i vështirë, por hap i domosdoshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar sot në Mbledhje të Qeverisë së Kosovës se i ka ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.
“Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë./Reporteri.net/