Gjatë ditës së sotme, Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit Todd D. Robinson do të vizitojë Kosovën më 20 deri më 22 mars. Kjo vizitë e tij në Kosovë, do të vijë pas asaj që zyrtari i lartë i Administratës amerikane do ta zhvillojë në Shqipëri, ku do të ketë një takim me kryeministrin, Edi Rama, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sa i përket vizitës në Prishtinë, DASh ka njoftuar se zyrtari i lartë amerikan ka paraparë në agjendën e tij vetëm takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shmangur kryeministrin Albin Kurti.
“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e sektorit të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftimin e bërë nga DASH.
Në lidhje me mungesën e një takimi me Kryeministrin Kurti të Todd D. Robinson gjatë vizitës në Kosovë, Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar koment dhe përgjigje nga Qveria e Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.
Dy javë më parë, gjatë vizitës së saj në Kosovë, kryeministri Kurti u “injorua” edhe nga Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, e cila për dy ditë qëndroi në Prishtinë. Në mesin e një sërë aktivitetesh në kryeqytetin kosovar, edhe zyrtarja e lartë amerikane zhvilloi një takim veç me Presidenten Osmani, duke e shmangur Kryeministrin Kurti.
Madje, McKee në Prishtinë përmendi edhe mosmarrëveshjet me “qeveri të caktuara”, por duke siguruar se përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur.
Gazeta Online Reporteri.net me 7 mars raportoi ekskluzivisht se SHBA ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me kryeministrin Kurti. Kjo, sipas një burimi të besueshëm diplomatik, si “masë kufizuese” shkaku i sjelljes dhe veprimeve të pakordinuara të shefit të qeverisë kosovare, që sipas SHBA-së cenojnë, ngadalësojnë apo edhe rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshje të arritura me Serbinë dhe tensionojnë gjendjen në veri të vendit. Rrjedhimisht, sipas të njëjtit burim, Kurtit i kufizohen takimet me zyrtarët e lartë amerikanë. Përjashtim, sipas të njëjtit burim, bën ndonjë rast kur ndonjë zyrtar i lartë amerikan udhëton në Prishtinë për “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës, siç ndodhi javën që shkoi me vizitën e Gabriel Escobar në Kosovë.
Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, para largimit nga Kosova, konfirmoi raportimin e gazetës online Reporteri.net duke u shprehur se “Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”.
“Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar në intervistën për Radio Evropën e Lirë, duke mohuar kategorikisht se do të këtë “masa” ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Emisari amerikan gjatë vizitës së tij në Prishtinë qortoi Kurtin para dhe pas takimit me të, derisa pati fjalë të mëdha për Presidenten Vjosa Osmani me të cilën edhe u paraqit në konferencë për media pas takimit.
Derisa para se të ateroj në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim online me gazetarë nga Brukseli, shprehimisht tha se “së fundmi [SHBA] kemi problem me komunikimin me kryeministrin Kurti”. Madje, sipas tij “telashe” me Kryeministrin Kurti nuk ka veç SHBA-ja, por edhe partnerët tjerë, si BE, NATO e Britania e Madhe. Ai e veçon edhe Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
“Por do të thosha se së fundmi kemi problem me komunikim me kryeministrin Kurti. Nuk është vetëm SHBA-ja. Nuk është problem që e ka vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova në komunikimet me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, dhe me shumë shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dikur kemi pasur partneritet më të mirë dhe ne duam që të kemi partneritet të tillë”, tha Escobar.
Nga ana tjetër, vetë kreu i Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti vazhdon të mohojë “prishjen” e marrëdhënieve me aleatët. Gjatë një adresimi për media, i pyetur për këtë çështje Kurti u është përgjigjur shkurt gazetarëve duke thënë se kjo “nuk është e vërtetë”, e duke mos komentuar tutje.
“Ndëshkimi” amerikan për Kurtin – kaq hapur – ndodhë për herën e parë, por jo edhe për anëtarë të kabinetit të tij. Në nëntor të vitit 2022, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa zyrtarëve të tjerë qeveritarë, SHBA ua kishte ndaluar një vizitë në Washington, si ndëshkim për vendimin e Kurtit për targat që ishte pasuar me “krizën e madhe” në veri.
“Mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në SHBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, kishte konfirmuar në atë kohë thënë ambasadori Hovenier.
Ndryshe, veprimet “e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës dhe tensionet në veri të vendit, Kosovës, qysh verën e vitit 2023 po i kushtojnë edhe me “masa kufizuese” nga Bashkimi Evropian – që në vend janë quajtur edhe sanksione. /Reporteri.net/