×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Kurti: SHBA mos të presë që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj – ne jemi viktima të gjenocidit, jo dëshmitarë

    Reporteri
    30 Mars 2024 | 20:43

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë siç ai e sheh, mirëpo ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.

    Kurti një intervistë në emisionin “Public Square” me Ditmir Bushatin, tha se SHBA-të duhet që të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin.

    Kreu i ekzekutivit kosovar tha  nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.

    “SHBA-të duhet të kujdesen për demokracitë në të gjithë planetin dhe unë e  kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu e kuptoj se kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht mund të ketë nganjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve. As nuk pret nga SHBA që ta shohin Beogradin zyrtar me me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Departamentin Amerikan me sytë e Beogradit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz që janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi me shtetin serb në veçanti.

    SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, jo viktimë. Ne jemi viktimë. Viktima dhe dëshmitari  nuk janë e njëjta gjë. Prandaj unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin qëndrim dhe as ndjeshmëri sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit.Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, u shpreh Kurti.

    Tutje Kurti tha, se ambiciet e tij për  Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar janë më të mëdha se ato të Washingtonit e Brukselit, dhe kjo thotë kryeministri është diçka normale dhe do të ishte e çuditshme të ishte e kundërta.

    “Ambiciet e mia për  Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar janë më të mëdha se ato të Washingtonit e Brukselit, dhe unë besoj se kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin e kombin tonë mbarë, nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet më të mëdha për neve, sesa ne për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për kombin tonë,  sesa ato që kanë partnerët tanë, aleatët e miqtë tanë që sigurisht se janë të paçmueshëm e të pazëvendësueshëm”, tha Kurti.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!