×
  • Lajme
  • Lajme / Rruga e Kosovës drejt KiE

    Serbia shkelëse e marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën

    Reporteri
    04 Prill 2024 | 12:26

    Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurtin e vitit 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Dhe, sipas nenit 4 të Marrëveshjes së shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por Serbia e bëri një shkelje kur më 27 mars votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Hiç më larg se sot, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje gjatë një takimi të jashtëzakonshme të Qeverisë serbe për formimin e një ekipi për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në takimin në Beograd, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Vuçiq u kërkoi të pranishmëve të luftojnë më shumë në politikën e jashtme, përmes bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës.

    “Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, tha Vuçiq.

    Vuçiq kërkon formimin e një ekipi për ta luftuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net të martën, foli për këtë shkelje të Serbisë, dhe tha se po vazhdon pa asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian.

    “Më 27 mars u shënua rasti më i fundit i shkeljeve të vazhdueshme që Serbia ia bën Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Marrëveshjes mbi Aneksin Zbatues të 18 marsit. Shkelja e parë e hapur e këtyre dy marrëveshjeve ndodhi po ashtu në Këshillin e Evropës, më 24 prill të vitit 2023. Për këto dy shkelje dhe të gjitha shkeljet që Serbia ia ka bërë së paku 8 pikave nga 11 pikat e Marrëveshjes Bazike, ajo nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, që do të shërbente si metodë e obligimit të saj për respektimin dhe zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Me këtë mungesë të masave nga Bashkimi Evropian, pritjet tona janë që Serbia do ta vazhdojë lobimin kundër Kosovës, që nënkupton shkeljen e mëtutjeshme të Marrëveshjeve”, tha Ahmeti.

    Ahmeti: Serbia do të vazhdojë lobimin kundër Kosovës duke shkelur marrëveshjet, pa asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian  

    Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Kosova pas muajit maj, pret ftesën për anëtarësim në KiE, tha mes tjerash Ahmeti.

    “Më 16 prill të këtij viti, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do ta votojë Opinionin përfundimtar që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Përderisa ky Opinion rekomandon anëtarësimin dhe nuk parasheh parakushte, unë pres që Komiteti i Ministrave ta trajtojë çështjen në ministerialin e muajit maj dhe Kosova ta pranojë ftesën për anëtarësim pas miratimit nga 2/3 e ministrave të punëve të jashtme të 46 vendeve anëtare”, tha Ahmeti.

    Siç është vërtetuar tashmë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, tha tutje Ahmeti, Raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, dhe tri raportueset e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të drejtuara nga Dora Bakoyannis, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për anëtarësim dhe Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës, madje i tejkalon disa prej tyre, dhe duhet të anëtarësohet pa asnjë parakusht shtesë./Reporteri.net/.

    A mund të pengohet Kosova në rrugën drejt Këshillit të Evropës? Flet numri dy i diplomacisë, Ahmeti

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!