Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë vizituar të premten vilën e Milan Radojçiqit, e sekuestruar nga Policia e Kosovës, pas fillimit të zbatimit të urdhrit ndalues për pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Ministrja Haxhiu para mediave tha se e bënë këtë vizitë për të parë nëse të gjitha nëse të gjitha veprimet që është dashur të ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht nga zyrtarët përgjegjës të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së konfiskuar dhe sekuestruar janë adresuar.
Haxhiu njoftoi se tashmë në këtë vilë janë vendosur edhe kamerat e sigurisë të cilat do të monitorojnë çdo lëvizje dhe për të parandaluar çfarë do përpjekje për të penguar punën e zyrtarëve dhe Policisë së Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Siç kam njoftuar edhe dje Ministria e Drejtësisë përmes Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar tashmë 31 mjete transportuese që janë të konfiskuara i ka dhënë për shfrytëzim Policisë e Kosovës dhe në anën tjetër kemi një aktvendim të konfirmuar edhe nga departamenti special dhe Gjykata e Apelit për disa pasuri të paluajtshme, por edhe të luajtshme sepse ka edhe vetura e pasuri tjera që janë të sekuestruara dhe njëra nga këto pasuri të paluajtshme është edhe vila luksoze prapa nesh, e cika deri para pak kohësh ishte e kryekriminelit Radoiçiq. Sot ishim për vizitë te kjo vilë për të parë nëse të gjitha veprimet që është dashur të ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht nga zyrtarët përgjegjës të Agjencisë janë adresuar, në kuptim të sigurisë sidomos. Tashmë kjo vilë ka të vendosura kamerat e sigurisë për të përcjellë secilin detaj e lëvizje dhe për të parandaluar çfarëdo përpjekje për të penguar punën e zyrtarëve por edhe Policisë së Kosovës. Përpos kamerave janë edhe policia këtu duke qëndruar. Janë edhe disa pasuri të tjera, siç janë banesa, pent house që konsiderohet, po ashtu edhe restoranti, vetura, barka apo anija dhe të gjitha këto janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë”, tha Haxhiu para mediave.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme ka ka nisur zbatimi i Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Sipas një liste që ka publikuar Ministrja Haxhiu, nga ai janë konfiskuar dikur 26 vetura, dy autoblinda të modifikuara, dy motorë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/