×
  • Lajme
  • Lajme / Për të hënën

    Ftesa e Kurtit për takim, opozita ende pa qëndrim

    Reporteri
    11 Maj 2024 | 13:46

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune për të hënën liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

    Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me deputetë të partive opozitare për të mësuar nëse do të shkojnë në darkën e ftuar nga kryeministri Kurti, por nuk kanë treguar nëse do t’i përgjigjen pozitivisht apo jo ftesës së kreut të VV-së.

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se nuk është në dijeni ende nëse ka ardhur një ftesë zyrtare nga Kurti apo jo.

    “Nuk jam në dijeni nëse ka ardhë ftesa, por për çdo gjë mblidhet Kryesia e partisë dhe vendos”, ka thënë Musliu-Shoshi për Reporteri.net.

    Reporteri.net ka tentuar të marrë  një përgjigje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike, e as nuk ka kthyer përgjigje në mesazhin që i është dërguar.

    Nga LDK për këtë çështje ka folur deputeti Avdullah Hoti, i cili ka konfirmuar se Kurti po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, por nuk ka treguar nëse LDK do të shkojë apo jo në këtë takim, shkruan Reporteri.net.

    Ai shton se sjellja e Kurtit bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë.

    Reporteri.net ka kontaktuar zëdhënësin e LDK-së, Besian Mustafa, njëherit deputet, i cili ka konfirmuar se kanë marrë ftesë për takim.

    “Konfirmoj që kemi pranuar ftesën e Kurtit”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.

    I pyetur nëse kanë marrë vendim të shkojnë në takim apo jo, Mustafa nuk ka treguar duke thënë “ju njoftojmë me kohë”.

    Por burime të Reporteri.net brenda LDK-së, kanë thënë se nuk pritet që kryetari i tyre, Lumir Abdixhiku, të shkojë të hënën në takim me Kurtin, pasi arsyeja e ftesës në të vërtetë nuk është për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror, pasi kjo është temë e Kryesisë së Kuvendit, por se kryeopozitarët janë ftuar që në tavolinë më pas të diskutohen çështje të tjera.

    Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë vendosur ende nëse do të shkojnë në takim apo jo.

    Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kjo parti është ftuar për takim, por që ende nuk kanë vendosur nëse do të shkojnë në takim me Kurtin.

    “Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”, ka thënë ai për Reporteri.net.

    Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!