×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Haradinaj premton ringritjen e Kooperativës “Krusha”: Gratë krushjane, heroina të ditëve tona

    Reporteri
    05 Shtator 2019 | 14:54

    Gjatë ditës së sotme është djegur fabrika e përpunimit të specave të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe.


    Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumi Graishta, ka konfirmuar për Reporteri.net se dëmet si pasojë e zjarrit vlerësohet se janë mjaft të mëdha.

    Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se është i prekur nga lajmi se një pjesë e Kooperativës “Krusha”, është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Haradinaj është shprehur se do të ofrojë ndihmën e tij të plotë në mënyrë që dëmet të sanohen sa më shpejtë.

    “I prekur nga lajmi se një pjesë e Kooperativës “Krusha”, është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Gratë e Krushës, këto heroina të ditëve tona, që gjeten fuqinë mbinjerëzore të ringriten nga tragjedia e luftës dhe me gjithë dhimbjen e madhe mbijetuan me punë e përkushtim, u shndërruan në shembullin më të mire për të gjithë ne. Duke iu shprehur keqardhje për këtë fatkeqësi themelueses Fahrije Hotit, dhe punëtoreve të kooperativës, zotohem për mbështetjen time të plotë, që dëmet të sanohen sa më shpejt”, ka shkruar Haradinaj.

    Ndryshe, ndihmë për përfaqësuesit e Kooperativës dhe punëtorët ka premtuar edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!