Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e priti ka pritur sot në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Kryeministri Kurti e uroi ambasadorin Westerlund për fillimin e mbarë të anëtarësisë së Suedisë në NATO, ndërkohë që theksoi se anëtarësimi i Kosovës në po këtë organizatë mbetet synim i qartë dhe angazhim i vazhdueshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Westerlund për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe për ndihmën e dhënë për shumë projekte zhvillimore, e përfshirë këtu projektin ‘Ndërtimi i Paqes dhe Avancimi i Agjendës Evropiane’, që menaxhohet nga Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave/BPRG, e i cili mbështet një numër ekspertësh ndërkombëtarë e vendorë.
Zyrtarët e shtetit dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë përsëritur vazhdimisht se synimi final është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Ministri Maqedonci disa ditë më parë duke folur për aspektin e lobimit, tha se është bërë lobim i mjaftueshëm, dhe se janë bërë hapa të rëndësishëm që çojnë drejt anëtarësimit.
“Kosova është pjesë e shumë iniciativave të përbashkëta që ndërlidhen me NATO-n”, deklaroi Maqedonci, teksa kujtoi aktivitetin e përbashkët të vendit tonë me vendet tjera të NATO-s në pritjen e refugjatëve afganë, pastaj përmendi edhe angazhimin e vendit tonë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën.
“Kosova është e vendosur që të anëtarësohet në NATO. Këtë e kemi theksuar në çdo takim me vendet anëtare të NATO-s, në të gjitha nivelet. Ne jemi duke ndërtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në sipas standardeve të NATO-s “, tha Maqedonci ditë më parë. /Reporteri.net/