×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi

    Kurti me ambasadorët e QUINT-it diskutojnë për hapjen e Urës së Ibrit

    Reporteri
    17 Korrik 2024 | 17:52

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit.

    Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit.

    Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Ata janë takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

    “Bashkë diskutuan rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit, dhe zhvillimin e gjithmbarshëm”, thuhej në njoftim.

    Kjo urë që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë veriore, të banuar me shumicë serbe.

    Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çështja e hapjes së urës mbi Ibër të zgjidhet në kuadër të dialogut.

    Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në urën mbi lumin Ibër./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!