Sot mbushen 14 vjet kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.
Partia Demokratike e Kosovës, tha se më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.
“Ky vendim e vulosi përfundimisht të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK shton se shpallja e pavarësisë si suksesi më i madh historik i popullit dhe shtetit tonë, pasqyron vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim e shtetndërtim të një lidershipi vizionar, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, me angazhim e përkushtim për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë për secilin qytetar.
“Krenohemi me Kosovën!”, thuhet në kumtesë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky vendim dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë.
“Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesional në bashkëveprim me miqtë strategjik, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa më herët, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet si shtet.
“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka thënë Haradinaj.