×
  • Lajme
  • Lajme / S'komenton Kryeministri

    Vrasja e Faton Hajrizit, Kurti: S’kam nevojë ta bëjë punën e Ministrit, kam shumë punë si Kryeministër

    Reporteri
    23 Korrik 2024 | 12:39

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme pas përurimit në Klinikën e Kardiokirurgjisë, është pyetur nga gazetarët edhe për vrasjen e Faton Hajrizit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Por, lidhur me rastin, Kryeministri Kurti s’deshi të prononcoj, duke thënë se janë ministritë përkatëse për këtë punë.

    I pari i Qeverisë, tha se ai s’mund ta bëjë edhe punën e Ministrit, pasi siç deklaroi ka shumë punë si Kryeministër.

    “Dy ministritë tona, e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e Ministrit, besoni kam shumë punë si Kryeministër”, tha Kurti para gazetarëve.

    Ditën e djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

    Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

    “Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhej në njoftimin e MPJD-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!