Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është pyetur edhe për Faton Hajrizin si dhe mbrojtjen e afërt për të nga Policia e Kosovës, për të cilën ditën e djeshme ekskluzivisht raportoi Gazeta Online Reporteri.net.
Ministrja Haxhiu tha se Faton Hajrizi s’mund të quhet hero, duke qenë se ka plagosur policë si dhe ka pasur vepra të rënda kriminale.
Ajo tha se pas reagimit të bërë ditë më parë në Facebook, ka pranuar kërcënime të shumta nga individë, gjë që e kanë parë të arsyeshme të ketë edhe mbrojtje nga Policia e Kosovës.
“Nuk mund ta quajmë hero një person i cili ka vepra të rënda, i cili ka plagosur Policinë e Ksoovës, i cili është dënuar për vepra të rënda kriminale, dhe pas reagimit dhe qasjes që kam pasur, në vazhdimësi kam pranuar kërcënime nga individ të ndryshëm dhe kemi konsideruar, për të shmangur çfarëdo situate natyrisht e kemi parë të rëndësishme që përkohësisht të ketë mbrojtje”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Gjatë ditës së sotme kur dhe u publikuan pamjet kur Ministrja Haxhiu po shkonte drejt Prokurorisë Speciale për intervistim, ajo u pa e shoqëruar nga avokati i saj Tomë Gashi, si dhe mbrojtja e afërt e Policisë së Kosovës, gjë që që nga dita e djeshme do të jetë e shoqëruar nga ta.
Krejt kjo erdhi pas deklaratave të Ministres ku ajo ngriti dyshime për vrasjen e Faton Hajrizit përmes një postimi të bërë në Facebook, si dhe pretendonte se të burgosurit në Republikën e Kosovës ndihmohen nga Serbia për t’u arratisur.
/Reporteri.net/
Reagimet për Faton Hajrizin, Albulena Haxhiu kërkon mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës