×
  • Lajme
  • Lajme / Skandali i RTK-së

    Lajmi propagandistik që sulmon dy media, seri reagimesh e distancimesh

    Reporteri
    24 Korrik 2024 | 8:03

    Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” për planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajon dhe gjoja kontrollin e dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, shkaktoi reagime të shumta nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, partitë opozitare dhe ekspertët e mediave.

    Shkrimi i gazetës boshnjake i publikuar në RTK të hënën, është shpërndarë me të madhe nga disa deputetë të Vetëvendosjes.

    Transmetuesi publik ka publikuar të hënën në faqen online një shkrim të përkthyer nga gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”, që bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, ku sulmohen dy mediume të Kosovës, duke u pretenduar se janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit. Bëhet fjalë për gazetën “Nacionale” dhe “Periskopin”. Ky shkrim është transmetuar edhe në formë mbulimi në edicionin qendror të lajmeve në RTK.

    Në shkrimin e gazetës boshnjake të publikuar më pas nga RTK, nuk ofrohet as edhe një fakt, por akuzat janë të rënda. Fushatës linçuese ndaj ndaj mediave i është bashkuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se për këtë “shkrim” e ka lajmëruar edhe Prokurorinë e Shtetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i alarmuar nga reagimet e disa prej deputetëve të VV-së të cilët kanë shpërndarë këtë shkrim.

    AGK-ja ka dënuar fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të Vetëvendosjes, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty.

    “Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre. I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre”, u tha në reagimin e AAK-së.

    Në lajmin që u publikua në RTK reaguan edhe vetë gazetarët e redaktorët e RTK-së, duke u distancuar.

    Redaktorja e lajmeve qendrore të RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi është e para nga punonjëset e mediumit publik që është distancuar nga sulmi i RTK-së ndaj portalit të Periskopit dhe Nacionales.

    Pas saj, edhe Redaktori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Enver Bajrami është distancuar dhe ka thënë se kundërshton çdo gjë joprofesionale.

    “Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale.

    Edhe Redaktori i magazinës së mbrëmjes “Lajmet e fundit” në RTK, Arton Mulliqi është distancuar nga kronika e RTK-së në edicionin qendror të lajmeve ndaj me anë të të cilës u sulmuan mediat “Periskopi” dhe “Nacionale”.

    “Duke vleresuar se kronika qe ishte transmetuar ne Lajmet Qendrore te RTK-se, e pasuar edhe nga nje lajm tjeter qe atakonte disa media dhe kolege ne Kosove, nuk i permbushe standardet profesionale , ne cilesine e pergjegjesit per magazinen e mbremjes “Lajmet e Fundit”, bashke me koleget e redaksise se mbremjes kemi vendosur qe te njejten te mos e transmetojme. Kaq kam mundur te beje, kaq kam bere!”, ka shkruar Mulliqi.

    Gazetarja Trendelina Ramadani është distancuar po ashtu nga raportimi i RTK-së. Ajo ka thënë se është për “një gazetari pa nënshtrim e presion ndaj askujt dhe nga askush”.

    Njëjtë ka vepruar edhe gazetarja tjetër e RTK-së, Valmira Saraçi, e cila ka thënë se në gazetari duhet të ketë parime.

    “#Distancohem, jo për t’u bërë një numër më shumë, por për gazetari me parime! #RTK” – ka shkruar ajo.

    Edhe vetë moderatorja e lajmeve qendrore në RTK, Alketa Gashi Fazliu, e cila dha lajmin prapagandistik në RTK për shkrimin e gazetës boshnjake, është distancuar nga lajmi që ndau me shikuesit, duke thënë se ajo nuk është e përfshirë në formulimet, politikat apo qëndrimet redaktoriale në televizionin publik.

    Gashi Fazliu ka thënë se distancohet nga gjithçka joprofesionale.

    “Gazetarët e medias publike përherë gjenden para tehut të kritikave të palëve dhe të të tjerëve që e kanë hobi kritikën dhe sulmin kryqëzues. Nuk jam dhe nuk ka se si të jem e përfshirë në formulimet, politikat apo në qëndrime redaktoriale për asnjë çështje dhe veçanërisht lajm. Statusi dhe pozicioni që kam në institucionin audioviziv publik të Kosovës, ma ka përcaktuar dhe ma bën të ditur për çdo edicion informativ mospërfshirjen. Kolegë, të nderuar: jam ajo që kam qenë, do të jem kjo që jam…edhe pse po m’binë hise do situata të vështira!”, ka shkruar ajo.

    “#disctancim i përjetshëm nga gjithçka joprofesionale”, përfundon postimi i saj.

    Anëtarja e Bordit të RTK-së, Arta Berisha ka thënë se ka kërkuar marrjen e masave për këtë shkrim.

    “Si anëtare e Bordit të RTK-së e kam konsideruar të papranueshme publikimin e lajmit të pambështetur në fakte në webfaqen e RTK-së dhe në edicionin e lajmeve qendrore dje. Në gazetari faktet janë të shenjta ndërsa aktiviteti i verifikimit të informatave është proces që i ka mundësuar gazetarisë të mbijetoj. Sinqerisht, arsyeja e problemeve në gazetari sot veçanërisht atë që bëhet vetëm online është mungesa e fakteve”, shkroi ajo.

    “Këtë qëndrim e prezantova edhe sot në mbledhjen e Bordit te RTK-së dhe kërkova nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme marrjen e masave duke qenë se publikimi i lajmeve pa fakte është në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Pjesën tjetër të analizës pres ta trajtoj me seriozitet komisioni i brendshëm.” – ka thënë ajo.

    Reagimi i saj erdhi pasi Bordi i RTKsë është mbledhur të martën për këtë çështje pas reagimeve të shumta. Pas mbledhjes, Bordi ka dalë me një reagim ku ka shprehur keqardhje për publikimin e artikullit.

    Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së RTK’së, Zana Spahiu, thuhet se ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.

    Artikullin që u publikua, Bordi e ka quajtur “kontraverz”.

    “Bordi i RTK-së e ka shqyrtuar me seriozitet publikimin e një artikulli kontraverz të hënën më 22 korrik 2024 në RTK, të marrë nga një medium boshnjak. Anëtarët e Bordit kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi këtë lëshim të qartë dhe kanë kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit”, thuhet në reagim.

    Sulmi ndaj mediave është dënuar edhe nga opozita. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si të dhimbshme dhe të frikshme tendencën

    “Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra. E dhimbshme me pa këtë tendencë të pushtetit me shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër. E frikshme!”, shkroi Çitaku.

    Deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se RTK është medium i Kosovës dhe ata të cilët po e keqpërdorin nuk i shërbejnë vendit.

    Ai ka thënë se disa herë e ka ngritur si çështje tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik, duke shtuar se asgjë nuk mund të bëhet pa dijenin e kryeministrit, Albin Kurti.

    “E kam ngritur shumë herë në Komisionin për Buxhet mos profesionalizmin e Bordit të RTK-së dhe tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik. Sot, mediat e tjera po sulmohen nga televizioni publik, për të cilin paguajmë mbi 8 milionë nga taksat tona. A mund të bëhen këto sulme pa u orkestruar nga partia në pushtet, ku nuk bëhet asgjë pa dijeninë e kreut të Qeverisë dhe kreut të partisë në pushtet?! “ – ka shkruar Hoti.

    Tutje, ai ka dalë në mbrojtje të Nacionales e Periskopit.

    “Përherë do të jemi në mbrojtje të fjalës së lirë. Këtë herë u etiketuan Nacionale.com dhe Periskopi, nesër mund të jenë të tjerë që thonë të vërteta që nuk i pëlqejnë partisë në pushtet.” – ka shkruar ndër të tjera. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!