Sot shënohet dita memoriale e policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri.
Në shënim të Ditës memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri po bëhen homazhe shtetërore pranë lapidarit të policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Para lapidarit me 23 emrat e policëve të rënë janë vendosur kurora lulesh.
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar policët e rënë në detyrë Heroin Enver Zymeri në 13 vjetorin e rënies së tij, duke thënë se Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës dhe se kjo sa vjen e bëhet më e qartë në çdo përvjetor të rënies së tij. Sipas Kurtit, gjendja në terren në pjesën veriore të Kosovës, ka ndryshuar rrënjësisht që nga koha kur Enveri u vra.
“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se falë përkushtimit dhe vendosmërisë që ka shfaqur Policia, është arritur që të shtrihet sovraniteti, rendi dhe ligji në tërë territorin e vendit.
“Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne”, ka thënë Gërvalla.
E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Enver Zymeri është kthyer në shembull e motiv për qindra vajza e djem që shërbejnë në çdo cep të Kosovës.
“Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”.
Pos kësaj, ministri kujtoi edhe Afrim Bunjakun i cili u vra në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë më 24 shtator, dhe policët e tjerë të rënë në kryerje të detyrës.
“13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, Heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Në nderim të sakrificës sublime të Hero Enver Zymerit, prej tre vitesh 26 korrikun e shënojmë si Ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës. Listës së të rënëve, shokëve të tij të lavdisë, këtë vit i është shtuar Heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë me 24 shtator.
Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”, shkroi Sveçla.
E Sindikata e Policisë së Kosovës ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të rënë në krye të detyrës përgjatë viteve.
Policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llaptinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi, Arben Sejdiu dhe Afrim Bunjaku.
Në postimin e sindikatës, me rastin e Ditës Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, thuhet se këta heronj janë “simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”.
“Sot, në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e tyre për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Këta heronj janë simbol i kurajos dhe përkushtimit, dhe trashëgimia e tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona. Lavdi përherë heronjve të Policisë së Kosovës!”, thuhet në postim.
23 Policë të Kosovës të rënë në detyrë përgjatë viteve, sindikata publikon emrat dhe fotografitë
Enver Zymeri u plagos në kokë nga një plumb snajperi gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, i zhvilluar në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011. I qëlluar duke shërbyer në krye të detyrës, polici Enver Zymeri vdiq pas 18 orësh. /Reporteri.net.