Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili tha se “shqiptarët do të marshojnë në urën e ibrit”. Sipas Kurtit, me të tilla pretendime të rrejshme, Vuçiq po synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se këto pretendime të rreme “shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia”.
“Me pretendime të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxisë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç ai pretendon rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë pasur për qëllim të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto pretendime të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe nesër është paralajmëruar një protestë e serbëve në veri të Kosovës.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zv.Drejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se protesta është thirrurr, për siç kanë thënë, “gjendjen e keqe të serbëve”.Sipas tij, protesta pritet të jetë e qetë, derisa bëri me dije se policia do të jetë aty që ta mbajë rendin dhe qetësinë publike.
“Grupi i qytetarëve e ka lajmëru protestën e nesërme nga ora 11:00-12:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Arsyeja e kësaj proteste është “gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden”. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbaj rendin dhe qetësinë publike”, ka deklaruar Elshani.