Disa qytetarë serbë janë mbledhur sot sheshin “Braçe Miliq” në Mitrovicën Veriore, afër Urës së Ibrit, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Prezentë ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por edhe KFOR-i.
Serbët që po protestojnë janë shfaqur me pankarta “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti hap urën, përgjegjës do të mbeten KFOR dhe QUINT-i” dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po lëshojnë deklarata, ne po na dëbojnë”.
Sipas mediave serbe në protestë do të kundërshtohet hapja e mundshme e Urës së Ibrit, të cilën po e kërkon Qeveria e Kosovës e derisa veprimi i njëjtë është kundërshtuar nga ndërkombëtarët.
Aty janë parë edhe drejtuesit e Listës Serbe: Zlatan Elek, Dragisa Miloviq, Slavko Simiç, Igor Simiç, Ivan Todosijeviq.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’. /Reporteri.net/