Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka potencuar sërish se Shtetet e Bashkuara se po përballen me disa sfida me Qeverinë Kurti, gjë e cila Hovenier tha se ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dyja vendeve.
Hovenier tha se megjithatë, përkushtimi i SHBA-ve për popullin e Kosovës mbetet i fortë e i hekurt si gjithmonë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Këtë deklaratë ambasadori amerikan e bëri në konferencën për media pas nënshkrimit të grantit nga presidentja Osmani në vlerë prej 34.5 milionë dollarë me USAID-in.
“Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet SHBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me veprimet e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të udhëhequra nga Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Siç e kemi thënë edhe javën e shkuar po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë.
Ashtu siç tha zëdhënësi i DASH-it, qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës po e citoj: ‘do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.
Por, edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme mbesin më pak pozitive sesa do të kishim shpresuar, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë”, tha Hovenier.
Së fundmi Qeveria e Kosovës është kritikuar nga SHBA-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për çështjen e Urës së Ibrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënës foli për këtë çështje duke thënë se ka thënë se po dëgjohen me vëmendje gjitha vërejtjet e sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime e koordinim. Jam optimist se do të kemi edhe sundimin e ligjit, lirinë e lëvizje në njërën anë edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt. Është për të gjitha komunitetet…Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet hapur edhe kjo urë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se janë të interesuar që hapja e urës të bëhet në bazë të planit që kanë ndarë me partnerët e aleatët amerikanë e evropianë.
“Ne duam të bëjmë sa më parë. As nuk duam të befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë e amerikanë në njërën anë, e as nuk mund të lejojmë që çështja të zvarritet pafundësisht. Vullnetin e qëllimin e kemi të mirë”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk beson se marrëdhëniet me SHBA-në janë dëmtuar. Ai thotë se ai nuk është si kryeministrat tjerë të mëparshëm të Kosovës, por thotë se marrëdhënia që po ndërton me SHBA-në është më e fuqishme se kurrë. /Reporteri.net/