Ish-Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila pritet të konfirmohet në pozitën e Shefes së Diplomacisë së Bashkimit të Evropian, është takuar me Federica Mogherinin, e cila vite më parë ka mbajtur pozitën që ajo po synon tash.
Për takimin ka njoftuar Mogherini, e cila ka thënë se Kallas do të jetë një Përfaqësuese e Lartë e mrekullueshme për Bashkimin Evropian, shkruan Reporteri.net.
“Takim i shkëlqyer me Kaja Kallas në Bruksel, ajo do të jetë një Përfaqësuese e Lartë e mrekullueshme për Bashkimin Evropian”, ka shkruar ajo.
Excellent meeting with @kajakallas in Brussels, she will be a great High Representative for the #EU! pic.twitter.com/RETGIoB5HW
— Federica Mogherini (@FedericaMog) August 28, 2024
Për takim ka shkruar edhe Kallas, e cila e ka falenderuar për këshillat dhe fjalët e mira.
Thank you for your guidance and good words! https://t.co/MdYJzJ4HH6
— Kaja Kallas (@kajakallas) August 28, 2024
Mogherini ka qenë Kryediplomate e BE’së para Josep Borrellit, derisa aktualisht mban postin e rektores së Kolegjit të Evropës. Sa mbante pozitën e kryediplamtës evropiane Mogherini ka ndërmjetësuar dialogun Kosovë – Serbi.
Kallas ka njoftuar dje se ka arritur në Bruksel, prej ku njoftoi se do të ketë takime të rëndësishme ditëve në vijim me fokus në përgatitjen për konfirmim nga Parlamenti Evropian.
“FIllime të reja: Sapo arrita në Bruksel dhe mezi pres të takohem me kolegët e rinj në shërbimin diplomatik. Javët e ardhshme do të jenë plot takime dhe informime, me fokus të rëndësishëm me fokus në përgatitjen për konfirmimin nga Parlamenti Evropian”, ka shkruar Kallas.
Kallas është takuar vjetëve të fundit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe me kryeministrin, Albin Kurtin.
Pas takimit me Osmanin, më 2021, Kallas pati thënë se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” – referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.
Ajo e ka përmendur në atë takim edhe nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.
Kallas është takuar me Kurtin dy herë, më 2022 dhe 2023, në Tallin të Estonisë.
Kryeministrja e Estonisë e ka falënderuar Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, ndërsa Kurti e ka falënderuar atë për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në shtetndërtim.
Në takimin e 2023-ës, në kuadër të një samiti për partneritet të hapur qeveritar, dy zyrtarët kanë diskutuar për nevojën e bashkëpunimit në digjitalizim të shërbimeve publike, duke marrë shembull Estoninë.
“Kosova dhe Estonia kanë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyeshme, ashtu sikurse të kaluar të ngjashme historike. Kosova e merr shtetin e Estonisë si model në shumë aspekte të shtetndërtimit”, pati thënë Kurti duke përmendur në veçanti administratën publike.