Pasditen e së enjtes rreth orës 19:00, në afërsi të Sllatinës në magjistralen Prishtinë-Pejë është rrokullisur një veturë në të cilën ndodheshin pesë persona brenda.
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij aksidenti.
Drejtori i Emergjencës në QKUK Naser Syla, tha për Telegrafin se njëri person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes ndërsa një grua ka vdekur në QKUK, duke mos mundur t’i përballojë plagët e marra.
“Edhe një tjetër person është sjellë i lënduar rëndë, por për momentin e ka gjendjen stabile”, tha Syla për Telegrafin.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, pak pas ngjarjes e ka konfirmuar aksidentin për gazetën online Reporteri.net.
“Me datën 29.08.2024, rreth orës 18:56 Policia ka pranuar informatën se afër fshatit Sllatinë, drejtimi Prishtine-Pejë një veturë në të cilën gjendeshin 5 persona kishte humbur drejtimin dhe ishte rrotulluar dhe është shkaktuar një vetaksident. Menjëherë policia ka reaguar në lokacion dhe janë njoftuar ekipet tjera emergjente dhe zjarrfikësit. Sipas informatave fillestare dyshohet se përveç lëndimeve të rënda trupore raportohet edhe për pasoja fatale në këtë rast”, ka thënë Hoxha për Reporteri.net.
Hoxha ka thënë se autoritetet ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetime, “përderisa për detaje do të njoftoheni pas raportimeve shtesë nga zyrtarët nga vendi i ngjarjes”.