Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës e detyruan edhe një herë në orët e vona të mbrëmjes që të reagojë Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Ishte një aksion i Policisë së Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës ai që provokoi reagimin e ashpër amerikan, të cilët u shprehën të zhgënjyer “me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në reagimin e SHBA-së thuhet se veprimet e fundit nuk janë në përputhje me premtimet e bëra nga Qeveria për koordinim.
Ata ia kanë përmendur Kurtit premtimin se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar” dhe kanë paralajmëruar se “veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.
Hiq më larg se të enjten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO-s, Thomas Goffus, tha Qeveria se Kosovës së bashku edhe me NATO-n e miqtë e aleatët, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
“Teksa e rrisim bashkëpunimin e ngushtë e të rregullt me njëri-tjetrin. Sundimi i rendit e ligjit mbeten parësore. Do të vijojmë pareshtur të mbrojmë qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, si dhe progresin e prosperitetin tonë.”, premtoi Kurti.
Qeveria amerikane ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me atë që e kanë cilësuar si veprime të vazhdueshme të pakoordinuara nga Qeveria e Kosovës.
Në reagimin amerikan thuhet se Qeveria ka instumentalizuar Policinë e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Policia e Kosovës, pikërisht kur po i kërkohet që të marrë veprime të koordinuara, ka njoftuar se ka përfunduar aksioni në katër komunat veriore, me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale.
Policia ka thënë se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte, shkruan Reporteri.net.
Ndërkohë, në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, Policia gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.
“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Aksioni u krye me kërkesë të Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Ministri Elbert Krasniqi tha se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës.
Në vazhdimësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të rpndosishme evropiane i kanë kërkuar kryeministrit Kurti që të mos ndërmarr veprime kokë më vete.
Paralajmërime Kurti mori pasi e bëri publik planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit, por edhe pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë.
Madje ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se me veprime të pakoordinuara, po rrezikohet siguria e ushtarëve amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Hovenier.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Edhe ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, i cili qëndroi të enjten në Kosovë, ku pati takime me krerët e shtetit, me të cilët bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe.
Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë
Siç njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten, Goffus ka përsëritur përkushtimin e palëkundur politik të Aleatëve dhe Partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Por ai ka thënë se më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë, por se zgjidhja është politike./Reporteri.net/