×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Osmani akuzon BE-në për njëanshmëri: Kur nuk ke barazi, askush nuk mund të ëndërrojë për rezultate

    Reporteri
    31 Gusht 2024 | 17:09

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kritikuar të shtunën në forumin e sigurisë “GLOBSEC” në Pragë Bashkimin Evropian (BE) se në procesin e integrimeve evropiane dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i njëanshëm ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës, e cila Osmani tha se është e vetmja në rajon që nuk ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi statusin e vendit kandidat edhe pse e kemi harmonizuar politikën tonë të jashtme 100 për qind me politikën e BE-së, parlamenti ynë kujdeset që të gjitha ligjet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian, më shumë se 90 për qind e njerëzve në Kosovë janë për BE-në,

    Nuk e shohim procesin meritor për të cilin flet  BE-ja flet aq shume. Po të kishte qenë kështu, Kosova duhej të kishte qenë lideri i  garës drejt integrimeve evropiane”, tha Osmani.

    Osmani akuzoi BE-në se e toleron dështimin e Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me atë evropiane dhe përkundër kësaj merr fondet më të shumta evropiane, si dhe për mospërmbushjen e obligimeve të Serbisë nga rreth 40 marrëveshje të nënshkruara në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që nga viti 2014.

    “Nëse nuk ka ekuilibër, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate që mund të zbatohen. Një marrëveshje (për normalizimin e marrëdhënieve) u nënshkrua në 2023, e ndjekur nga një aneks. Është një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme. Nëse njëra palë tërhiqet,  pala tjetër nuk ka obligim”, tha Osmani.

    Ajo tha se  përkundër faktit se zyrtarët serbë thonë se është një marrëveshje jodetyruese, pra sipas saj Serbia është tërhequr nga ajo, BE-ja po kërkon që Kosova ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë të njëanshme.

    “Ne jemi të bindur se ekuilibri do të rikthehet me Komisionin e ri Evropian, por pas disa muajsh”, tha ajo.

    Osmani ka theksuar se pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe mospërmbushjes së zotimeve, Kosova po mbahet nën masa.

    “Pavarësisht të gjithë kësaj dhe listës së moszbatimit nga Serbia, gjeni cila palë është nën masa të BE. Është pala që është 100% në linjë me BE-në, pala që asnjëherë nuk merr armë nga Rusia, Kina apo Irani, është pala që 95% e popullit të së cilës janë në favor të BE-së, pala që kurrë nuk ka kryer akt agresioni ndaj fqinjëve të saj, që nuk destabilizon fqinjët, që nuk përdor rusët MIG të fluturojë mbi fqinjët e saj, kjo është pala që është nën masa. Është Kosova. Prandaj tavolina është përmbys. Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, tha ajo. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!