Në margjinat e Forumit të Bledit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me homologen e saj të Sllovenisë, Tanja Fajon.
Siç njofton Ministria, në qendër të diskutimeve ishte roli i Sllovenisë gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit gjatë muajit shtator, i cili përkon me debatin e Asamblesë së Përgjithshme të shtatorit, kur liderët botërorë do të mblidhen në Nju Jork.
Gërvalla i ka kërkuar homologes së saj njohjen reciproke të patentave të shoferëve.
“Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj sllovene diskutuan gjithashtu për marrëveshjet ndërshtetërore, njohjen reciproke të patentave të shoferëve, zgjerimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e Sllovenisë në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka njoftuar Ministria.
Gërvalla e ka falënderuar Fajon për ftesën dhe “organizimin e shkëlqyer të Forumit të Bledit”, duke theksuar se ky forum po luan një rol të madh në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Reporteri.net/