Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka folur për përleshjen me armë në Prishtinë mes familjes Sekiraqa dhe Capajve ku ka mbetur i vrarë një person dhe pesë janë plagosur.
Haxhiu ka thënë se është e papranueshme që këto grupe kriminale janë toleruar para drejtësisë.
“Është e rëndësishme që institucionet të mbahen përgjegjëse për veprimet të cilat i kanë edhe të përshkruara me ligj.
Ajo çfarë dua të them është që është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo të tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të mendojnë që janë mbi ligjin. Bëjë thirrje secilit isntiucionet që të kryejnë detyrat me përgjegjësi të lartë që të mos lejojë kriminelët të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët Është e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata që nuk e kryejnë detyrën që e kanë”, ka thënë Haxhiu sot.
Të dielën e 1 shtatorit, breshëri plumbash mes dy grupeve, mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi konfirmoi dje për Gazetën Online Reporteri.net se të dy familjet kanë qenë të përfshirë edhe në një konflikt tjetër në muajin mars, ku një person atë kohë kishte mbetur i plagosur, anëtar i familjes së Capave.
Në mesin e të plagosurve, qysh natën kur ndodhi përleshje, Gazeta Online Reporteri.net raportoi se ishte i përfshirë edhe Salih Sekiraqa.
Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekë në rrugën “Gazmend Zajmin” në Prishtinë.
Lidhur me rastin, Prokuroria dje tha se ka edhe persona të tjerë të përfshirë, e të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim. /Reporteri.net/