×
  • Lajme
  • Lajme / Në orën 14:00

    Vrasja në Aktash, pesë të dyshuarit sot dalin para gjykatës

    Reporteri
    03 Shtator 2024 | 12:40

    Seanca dëgjimore ndaj Salih Sekiraqës dhe të dyshuarve të tjerë të ndaluar në konfliktin mes familjeve Sekiraqa dhe Capat në Kryeqytet, ku një person ka mbetur i vrarë, pritet të mbahet sot.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se seanca prite të mbahet në orën 14:00.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë  ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve të ndaluar në konfliktin mes familjeve Sekiraqa dhe Capat në Kryeqytet, ku një person ka mbetur i vrarë.

    Kështu ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    “Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit pranë Gjykatës Kompetente ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të ndaluar me vendim të prokurorit për rastin e ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Reporteri.net.

    Përleshja Sekiraqa-Capat, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj pesë të dyshuarve

    Të dielën e 1 shtatorit, breshëri plumbash mes dy grupeve, mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

    Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi konfirmoi dje për Gazetën Online Reporteri.net se të dy familjet kanë qenë të përfshirë edhe në një konflikt tjetër në muajin mars, ku një person atë kohë kishte mbetur i plagosur, anëtar i familjes së Capave.

    Në mesin e të plagosurve, qysh natën kur ndodhi përleshje, Gazeta Online Reporteri.net raportoi se ishte i përfshirë edhe Salih Sekiraqa.

    Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekënë rrugën “Gazmend Zajmin” në Prishtinë.

    Lidhur me rastin, Prokuroria dje tha se ka edhe persona të tjerë të përfshirë, e të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!