×
  • Lajme
  • Botë

    Zelensky i lutet aleatëve për më shumë armë, thotë se rusët duhet të zgjedhin mes “paqes dhe Putinit”

    Reporteri
    06 Shtator 2024 | 15:03

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar më shumë mbështetje ushtarake nga aleatët perëndimorë të premten, si dhe ka thënë se rusët duhet të zgjedhin mes “paqes dhe presidentit Vladimir Putin”.

    Shtetet e Bashkuara njoftuan në ditën e njëjtë se do t’i ndajë 250 miliardë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Kievin.

    Duke folur në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Zelensky gjithashtu u kërkoi aleatëve ta lejojnë Kievin t’i përdorë armët me të cilat ata e furnizojnë për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.

    Uashingtoni e ka kundërshtuar këtë deri tani për shkak të shqetësimeve se mund të ndikojë në përshkallëzimin e luftës.

    “Ne kemi nevojë për këto armë me rreze të gjata veprimi, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin e Rusisë, në mënyrë që ta motivojmë Rusinë të kërkojë paqe”, tha Zelensky gjatë takimit me liderët ushtarakë amerikanë dhe me më shumë se 50 vende partnere.

    “Ne duhet t’i bëjmë qytetarët rusë dhe, madje, edhe ushtarët rusë të mendojnë se çfarë kanë nevojë: paqe apo Putin”, theksoi ai.

    Forcat ruse kanë çarë përpara në lindje të Ukrainës, përreth qytetit Pokrovsk, i cili është rrugë jetike për furnizimin ushtarak të Ukrainës. Ushtria ruse ka vazhduar të shënojë përparime atje, përkundër një inkursioni befasues të forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë muajin e kaluar.

    Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll rreth 1.300 kilometra tokë ruse dhe se i ka vrarë apo plagosur rreth 6.000 ushtarë rusë./REL 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!