×
  • Lajme
  • Botë

    Boeing për herë të parë kërkon falje për “jetët e humbura”

    Reporteri
    06 Prill 2019 | 8:04

    Prodhuesi amerikan i avionëve Boeing ka pranuar se një gabim në Sistemin e Forcimit të Karakteristikave të Manovrimit (MACS) ka luajtur rol në aksidentet e pësuara nga modeli 737 MAX 8 dhe kërkoi falje për humbjen e jetëve.


    “Kërkojmë falje për jetët e humbura në aksidentet me 737 MAX”, tha drejtuesi ekzekutiv (CEO) Dennis Muilenburg në Twitter, lidhur me aksidentet e modelit 737 MAX të Ethiopian Airlines të Etiopisë dhe Lion Air të Indonezisë.

    Muilenburg tha se detajet e plota të të dyja aksidenteve do të shpalosen në raportet e qeverive përkatëse.

    “Megjithatë, sipas raporteve të para shqyrtuese të aksidentit të Ethiopian Airlines, është e qartë se sistemi i njohur si MCAS, në të dy aksidentet ka qenë aktiv pasi ka marrë informacione të gabuara të shpejtësisë”, tha Muilenburg.

    Më 10 mars, një avion Boeing 737 Max 8 që po udhëtonte për në Kenia u rrëzua vetëm gjashtë minuta pasi u nis nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Abeba.
    Të gjithë 157 personat në bord nga 35 vende të ndryshme, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit, humbën jetën gjatë aksidentit.

    Rrëzimi i avionit në Etiopi ishte aksidenti i dytë vdekjeprurës i modelit Boeing 737 MAX në më pak se pesë muaj.

    Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i linjës indoneziane Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.

    Pas aksidentit fatal në Etiopi, shumë shtete dhe linja ajrore ndaluan fluturimet e modeleve 737-MAX 8 dhe Boeing 737-MAX 9.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!