Çfarë është COVAX dhe si do t’i shpërndajë vaksinat anti-COVID në vendet e varfëra?

Vendet e zhvilluara po bien me rrezikshmëri prapa në garën globale që përmes vaksinimit, t’i japin fund pandemisë që e shkakton infeksioni  COVID-19.
Struktura e COVAX synon që t’i vaksinojë të paktën 20% të popullsisë së vendeve më të varfëra të botës.


Çfarë është COVAX?

COVAX është përpjekja kryesore e botës për të siguruar vaksinën për vendet e varfëra. Ajo filloi vitin e kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe dy grupe që kanë punuar në sigurimin e vaksinës për vendet në zhvillim, shkruan The Wall Street Journal – transmeton në shqip Gazeta Online ‘Reporteri.net’

Ashtu siç kanë bërë edhe vendet e pasura, edhe COVAX bëri marrëveshje me prodhuesit e vaksinave për të blerë doza para se kishin kaluar provat klinike dhe të aprovoheshin nga rregullatorët e ilaçeve. Paratë për të blerë vaksinat janë dhuruar kryesisht nga Qeveritë Perëndimore dhe grupet bamirëse si Bill&Melinda Gates Foundation.

Kush po merr pjesë në programin e OBSH-së?

COVAX synon që të sigurojë vaksina falas anti-COVID për të paktën 20% të popullsisë së 92 vendeve më të varfëra të botës deri në fund të vitit 2021. Pak më shumë se 50 vende të tjera të botës, përfshirë Kanadanë dhe vendet me të ardhura të mesme të larta si Afrika e Jugut dhe Meksika, kanë porositur vaksina përmes COVAX, por duhet të paguajnë vetë dozat.

Cilat vaksina janë siguruar?

COVAX ka bërë marrëveshje me shumicën e prodhuesëve të mëdhenj, duke përfshirë këtu Pfizer, Johnson&Johnson dhe Novavax. Por gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, shumica e dëgesave të planifikuara nga struktura COVAX, janë për vaksinën e zhvilluar nga AstraZeneca PLC dhe Universiteti i Oksfordit. Gjatë tërë vitit, AstraZeneca parashikohet të përbëjë rreth një të tretën e furnizimeve të COVAX, duke supozuar që vaksinimet nga J&J dhe Novavax e prodhuesit e tjerë të autorizohen, ashtu siç pritet.

Sa vaksina COVID do të dhurohen?

COVAX thotë se ka negociuar marrëveshje për rreth 2.27 miliardë doza të vaksinës anti-COVID këtë vit, megjithëse shumë nga to ende nuk janë autorizuar ose janë ende në prova klinike.

Të gjitha vaksinat, përveç J&J, kërkojnë dy doza dhe disa nga do të shkojnë në vendet e vetëfinancimit. COVAX u ka bërë thirrje gjithashtu vendeve të pasura, të cilat kanë blerë mjaft vaksina, të dhurojnë ndonjë dozë shtesë. Deri më tani Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë thënë se do t’i ndajnë dozat e tepërta, por që nuk kanë dhënë detaje se kur do ta bëjnë këtë.

Ndërkaq Norvegjia ka thënë se do të fillojë të ndajë vaksinat me vendet në zhvillim në të njëjtën kohë kur do të fillojë t’i imunizojë njerëzit e saj, ndërsa Franca ka bërë thirrje tek vendet evropiane që të fillojnë të japin rreth 5% të vaksinave të tyre për vendet afrikane qysh tani. /Reporteri.net