×
  • Lajme
  • Botë

    Ditari i 12 vjeçares që vdiq gjatë rrethimit të Sarajevës: ‘Pse o të mallkuar po na vrisni?’

    Reporteri
    06 Prill 2019 | 15:54

    “Pse, o të mallkuar, pse po i vrisni shpirtrat tanë që ekzistojnë vetëm për të dashur, për të dashur paqen, lojën, lumturinë … Por, përsëri, nuk do të përkulem para jush, sepse edhe ju jeni baballarë të disa fëmijëve që e duan paqen dhe lumturinë …” Këto fjalë janë marrë nga ditari i 12-vjeçares, Nirvana Zeljkoviq nga vera e vitit 1995 në qytetin e rrethuar të Sarajevës.


    Nirvana, me pseudonimin Nina, menjëherë pas këtyre fjalëve, u bë edhe vetë viktimë e njerëzve të cilëve ua drejtoi këto fjalë, pasi ajo u plagos ndërsa luante me fëmijët në afërsi të shkollës. Ajo vdiq më 2 shtator si një nga të fundit në mesin e 1,601 fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, transmeton Reporteri.net.

    Pothuajse 24 vjet më vonë, nëna e Ninës, Azemina mban disa kujtime për vajzën e saj, të cilën gjithmonë e ka në mendje. Ndër të tjera, ekziston edhe ditari i Ninës, i mbushur me fotografi të prera nga revistat e fëmijëve. “Ishte 27 gusht. Dita ishte me diell, qetë, të shtëna nuk dëgjoheshin, i thashë që të mos dalë, është më rrezik kur është qetë. Megjithatë, ajo doli dhe ra në një granatë”, kishte rrëfyer për “Al Jazeera Balkans” nëna e Ninës atë ditë të tmerrshme.

    Ajo ende  ruan fustanin në të cilin Nina merrte pjesë në garat e vallëzimit, ku shpesh fitonte vendet e para. “Këtë mëngjes, kur u zgjova, menjëherë mendova për garën”, shkruante vajza në ditar më 26 gusht 1995. Atë ditë, me fëmijët e tjerë nga fshati, ajo pati një shfaqje në Sloga të Sarajevës.

    Qëndrimi në Sarajevë pas kësaj ngjarje ishte i pamundur për nënën e Ninës, babanë dhe motrën, të cilët dy muaj më vonë shkuan në Kroaci dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. Nëntë vjet më vonë, megjithatë, ata u kthyen në Sarajevë ku u përballën me një surprizë të jashtëzakonshme. Në vendin ku Nina mbeti e vdekur gjetën një pllakë përkujtimore ku shkruante: ‘Nina e dashur, në këtë rrugë ju shkuat në shkollë dhe nga kjo rrugë keni shkuar në paqen e përjetshme. Ju jetoni gjithmonë në mendjen tonë’.

    Pllaka u krijua nga një njeri që kishte parë fotografinë dhe lulet atje, ndërsa dedikimi u bë nga gazetari gjerman Peter Münch, i cili i impresionuar me këtë histori vendosi të shkruante një artikull të madh për një vajzë që mbushi ditët e luftës me valle dhe shkrim.

    Por pasi mësoi më shumë për Ninën, Peter vendosi ta botonte ditarin në një libër të quajtur ‘Aroma e lules ‘ e cila ndërkohë u bë lekturë e detyrueshme në Gjermani.

    Mbi varrin e Ninës, sot ka lule jorgovani dhe një nga mesazhet më prekëse është  shkruar nga gjermani Adres, i cili, pasi lexoi librin e Ninës, vendosi ta vizitojë Sarajevën. “I vetmi informacion që kisha në lidhje me monumentin e motrës sate ishte se ishte nën lule, po endesha në mes të varrezave dhe u befasova kur gjeta vendin e fundit ku pushon Nina në mesin e monumenteve të bardha. Po qëndroja aty me rrahje të mëdha të zemrës, vetëm po qëndroja dhe po vështroja”, ishte mesazhi i gjermanit që kishte shkruar për motrën e Ninës.

    27 vjet më parë nisi rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe, që zgjati 1425 ditë. Gjatë kësaj kohe u vranë më shumë se 11 mijë qytetarë, më mesin e të cilëve 1600 fëmijë. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!