Gjermania do ta përdorë ilaçin eksperimental me të cilin u trajtua Trumpi

Gjermania do të bëhet shteti i parë në BE që do ta përdorë ilaçin e njëjntë eksperimental të cilin e kishte përdorur ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kur ishte infektuar me koronavirus.


Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, nuk e ka konfirmuar emrin e prodhuesit, por ka thënë se bëhet fjalë për të njëjtin ilaç që e kishte marrë Trumpi, raporton Bild.

Trump ishte trajtuar me një ilaç të Regeneronit.

Trajtimi eksperimental me antitrupa do të ndihmojë të mbrohen pacientët që janë më të rrezikuar, në fazat e hershme dhe nuk do ta lënë të keqësohet situata, thotë Spahn.

Ai ka thënë se Gjermania i ka blerë 200 mijë doza dhe do të nisë t’i përdorë ato javën e ardhshme.

Vendimi i Gjermanisë vjen pasi një numër i shteteve evropiane kanë shprehur frustrimin për vonesat në dërgesa të vaksinave nga Pfizeri dhe AstraZeneca.

Të dy kompanitë kanë thënë se nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë vaksinat për BE-në siç janë pajtuar, për shkak të çështjeve të prodhimit.