×
  • Lajme
  • Botë

    Jacinda Ardern – kryeministrja që po i tregon botës se çka është lideri i vërtetë

    Reporteri
    20 Mars 2019 | 11:53

    Sulmuesi që hapi zjarr në dy xhami të Zelandës së Re, javën e kaluar mund të ketë arritur të vrasë 50 vetë, por kreu i vendit ka premtuar t’ia mohojë atë që ai dëshironte në të vërtetë: FAMËN. 


    “Ju kurrë nuk do të më dëgjoni duke  përmendur emrin e tij”, tha kryeministrja Jacinda Ardern në Parlamentin e Zelandës së Re të martën. “Ai është një terrorist, ai është një kriminel, ai është ekstremist, por kur të flas për të, ai do të jetë i panjohur dhe të tjerëve ju lutem: Folni në emrin  e atyre që humbën jetën, më tepër se në emrin e njeriut që ua mori atë. Ai mund të ketë kërkuar famë, por ne në Zelandën e Re nuk do t’i japim asgjë, madje as emrin e tij”, kishte deklaruar kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, gjatë ditës së djeshme, transmeton Reporteri.net

    Që nga masakra, Ardern, 37 vjeçare, udhëheqësja  më e re grua e ndonjë qeverie në botë, ka folur me emocion dhe ndjeshmëri, duke mbështetur familjet dhe duke mbajtur të informuar vazhdimisht publikun në lidhje me rastin. Ajo ka qenë fytyra e masakrës – dhe jo sulmuesi me armë – që dominoi në faqet e mediave. Pasi i dyshuari – falë pjesërisht një ndalimi për botimin e disa detajeve rreth tij – është vendosur në sfond, duke u përballur me mohimin e famës të cilën ai e dëshironte, Ardern  ka marrë mirënjohje nga e gjithë bota për trajtimin të ngjarjes, që e vendosi atë në qendër të universit duke shprehur pikëllimin e një kombi.

    Ndërsa Ardern ka siguruar një pikë stabiliteti për të gjithë zelandezët, ndërkohë që vendi vazhdon ta marrë veten nga një sulm, që disa javë më parë do të dukej i paimagjinueshëm, veprimet e saj kanë prekur personalisht të afërmit e atyre që kanë vdekur në masakër.

    Ditën pas sulmit në Christchurch, Ardern mbante shami në kokë, ndërkohë që qëndronte në qendër të një dhome, të rrethuar nga familjet e dëshpëruara për të dëgjuar fjalët e saj. Ata ishin të lodhur, të shqetësuar dhe të pikëlluar për të dashurit që u vranë në breshëri plumbash nga një njeri që i veçoi ata për besimin e tyre.

    Edhe para se të thoshte një fjalë, vendimi i thjeshtë i Ardernit për të mbuluar flokët, shërbeu për t’iu treguar familjeve që i respekton dhe dëshiron të lehtësojë dhimbjen e tyre. “Njerëzit ishin shumë të habitur, pashë fytyrat e tyre kur ajo mbante shaminë – kishte buzëqeshje në fytyrat e tyre”, tha Ahmed Khan, një i mbijetuar i sulmit që humbi xhaxhain e tij në xhaminë Al Noor. Ali Akil, një anëtar i Solidaritetit Sirian Zelanda e Re, i cili erdhi në Christchurch për të mbështetur komunitetin, tha se vënia e shamisë ishte “një gjë simbolike”. “Me atë veprim ajo po thoshte se unë ju respektoj dhe unë jam këtu për të ndihmuar”, tha ai. “Unë jam shumë i impresionuar”, u shpreh Akil.

    Ardern gjithashtu bëri përshtypje – si brenda Zelandës së Re, ashtu edhe jashtë – me veprimin e saj të shpejtë pas sulmit. Ajo ishte e shpejtë duke etiketuar incidentin si një sulm terrorist, një përcaktim që mund të mungonte për vrasjet e ekstremit të djathtë dhe brenda disa orësh ishte zotuar të ndryshonte ligjin mbi armët për të parandaluar mizoritë e ardhshme. Sipas fjalëve të saj, kabineti i Zelandës së Re u takua të hënën dhe ranë dakord për ndryshimet në ligj që do të detajohen javën e ardhshme. Ndyshimet pritet të përfshijnë ndalimin e armëve gjysmë automatike.

    Që nga ardhja në pushtet, Ardern ka paraqitur një imazh në kontrast të fortë me udhëheqësit e shumë vendeve të mëdha perëndimore. Ndërsa vendet, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë tentuar të mbajnë emigrantët jashtë, Ardern ka kërkuar në mënyrë aktive t’i sjellë ata brenda.

    “Unë kam thënë shumë herë se ne jemi një komb prej 200 etnish, 160 gjuhësh”, tha Ardern të martën. “Ne hapim dyert tona për të tjerët dhe i mirëpresim. E vetmja gjë që duhet të ndryshojë pas ngjarjeve të së premtes, është se kjo derë duhet të mbyllet për të gjithë ata që nxisin urrejtje dhe frikë”, u shpreh ajo. /Reporteri.net

    Burimi:CNN

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!