×
  • Lajme
  • Botë

    Ligji që krijoi stuhi politike në BE – Orban do të hedhë në referendum ligjin anti-LGBT në Hungari

    Reporteri
    21 Korrik 2021 | 21:15

    Kryeministri i Hungarisë Victor Orban i është përgjigjur presionit të Bashkimit Europian për të shfuqizuar ligjin e konsideruar anti-LGBT nga Brukseli, duke shpallur se do e kalojë në një referendum publik, ku qytetarët hungarezë mund të vendosin nëse e mbështesin ose jo.


    Kujtojmë se ligji në fjalë ndalon përmendjen e çështjeve dhe komunitetit LGBT në librat shkollorë dhe në ato për audienca nën 18 vjeç si dhe në programet televizive që mund të ndiqen nga kjo grupmoshë. Orban e ka cilësuar këtë ligj të domosdoshëm për të lejuar prindërit që të rrisin fëmijët me vlerat e tyre të trashëguara, ndërkohë që për BE ky ligj përbën bazën e diskriminimit sistematik ndaj homoseksualëve.

    “Aktivistët LGBT vizitojnë kopshtet dhe shkollat dhe japin orë për edukatën seksuale. Këtë gjë duan ta bëjnë dhe këtu në Hungari. A mbështesni ju që minorenëve t’u tregohen pa asnjë ndalim imazhe dhe përmbajtje me natyrë seksuale që mund të ndikojë në zhvillimin e tyre?”- tha mes të tjerash Orban në një video të shpërndarë në rrjetet sociale ku shpallte referendumin.

    Referendumi shpallet pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e ka cilësuar ligjin në fjalë “të turpshëm dhe diskriminues” dhe ka kërcënuar se: “Do të përdor të gjithë fuqitë ligjore të Komisionit për të siguruar se të drejtat e të gjithë qytetarëve të BE do të respektohen”.

    Ky është referendumi i dytë kontraversial që organizohet në Hungari, pasi në vitin 2016 Budapesti pyeti qytetarët për pranimin ose jo të kuotave të emigrantëve, ku mbi 80% e atyre që votuan mbështetën qeverinë duke votuar kundër tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!