×
  • Lajme
  • Botë

    Ministri i Jashtëm gjerman do të ndërmjetësojë në konfliktin e Lindjes së Mesme

    Reporteri
    20 Maj 2021 | 12:20

    Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë fjalimit në Bundestag dënoi ashpër “terrorin e raketave” të Hamasit. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, tha ai.


    Pak pas deklaratës së tij në Bundestag (19.05) ministri Jashtëm Maas vuri në dukje, se do të udhëtojë drejt Izraelit dhe territoreve palestineze: “Plani im është që të shkoj në Izrael dhe të zhvilloj bisedime në Jerusalem dhe në Ramallah”, tha Maas në Berlin.

    Në një debat aktual në parlament ministri i Jashtëm Heiko Maas dënoi ashpër “terrorin e raketave” të organizatës palestineze Hamas, që është klasifikuar nga BE dhe SHBA si grup terrorist.

    “Hamas me vetëdije e ka nxitur përshkallëzimin me pasoja të tmerrshme, që prekin Izraelin dhe palestinezët e në radhë të parë njerëzit në Rripin e Gazës”, tha Maas. “Izraeli ka të drejtë dhe detyrim, të mbrojë popullsinë e vet”.

    Maas shprehu shqetësimin që diplomacia në Lindjen e Mesme prej vitesh nuk po avancon.

    Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve mund të zgjidhet vetëm përmes “zgjidhjes së negociuar me dy shtete”, tha Maas. “Për këtë është punuar shumë pak vitet e fundit”.

    Tematizohen edhe vendbanimet hebreje

    Ngecja në vend numëro bart rrezikun e një radikalizimi të mëtejshëm: “Sa më pak realiste kjo zgjidhje, aq më i madh rreziku, që aktorët radikalë si Hamasi të forcohen”, tha ministri. “Kjo është ajo çfarë po përjetojmë aktualisht”.

    Në fjalimin e tij ministri i Jashtëm socialdemokrat ceku edhe pikat kritike në adresë të Izraelit: “Kur flasim për çtensionimin, natyrisht tematizojmë edhe ndërtimet e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara dhe planifikimin për zhvendosjen e shtëpive të palestinezëve” në Jerusalemin Lindor.

    Jo antisemitizëm

    Në debatin për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Afërt, Mass u shpreh për veprim të ashpër kundër antisemitizmit në Gjermani.

    “Predikues antisemitë të urrejtjes, urrejtjenxitës dhe njerëz të dhunshëm duhet të përballen me të gjithë forcën e shtetit ligjor gjerman, dhe nuk ka rëndësi nëse ata jetojnë prej kohësh këtu apo kanë ardhur në vitet e fundit”.

    Opozita theksoi gjithashtu të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

    Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve, Alexander Graf Lambsdorff tha: “Izraeli ka të drejtë të mbrohet ndaj sulmeve. Për këtë nuk ka asnjë mëdyshje”.

    Ngjashëm u shpreh edhe zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit të ekologjistëve, Omid Nouripour, i cili gjithashtu akuzoi Hamasin për “terror raketash”.

    Ai shtoi: “Sulmet ndaj sinagogave, djegia e flamurit të Izraelit, sharjet banale të njerëzve të besimit hebre në demonstrata, thirrjet për asgjësimin e Izraelit: Këto ngjarje të ditëve të fundit në vendin tonë janë të pështira”.

    Zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të partisë “E Majta”, Gregor Gysi, tha: “Paqja dhe zgjidhjet janë vetëm me dy shtete”.

    Përfaqësuesi për politikën e jashtme i partisë AfD Paul Hampel insistoi për një angazhim më të madh të Gjermanisë në përpjekjet për ndërmjetësim.

    “Ju lëshoni pa fund fjalë të zgjedhura”, kritikoi ai ministrin e Jashtëm Maas, por “nuk po shohim asnjë veprim të qartë”. /DW/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!