×
  • Lajme
  • Botë

    OBSH riemëron variantet e koronavirusit me shkronja greke

    Reporteri
    01 Qershor 2021 | 7:06

    Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të hënën se ka vendosur një sistem të ri për emërimin e varianteve të koronavirusit.


    Tani e tutje, OBSH-ja tha se do të përdorë shkronjat greke.

    Varianti britanik, për shembull, është etiketuar si Alfa, ai i Afrikës së Jugut si Beta dhe varianti indian si Delta.

    Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Indisë e kritikoi emërtimin e variantit B.1.617.2 – të zbuluar për herë të parë në Indi, tetorin e kaluar – si “variant indian”, ndonëse OBSH-ja nuk e ka etiketuar kurrë zyrtarisht si të tillë.

    “Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve”, tha Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH.

    Ajo bëri thirrje për një “mbikëqyrje të fuqishme” të varianteve dhe për ndarjen e të dhënave shkencore, që do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

    Shkronjat greke do t’u referohen edhe varianteve shqetësuese, edhe varianteve të interesit.

    Një listë e plotë e emrave është publikuar tashmë në faqen e internetit të OBSH-së.

    Van Kerkhove tha se shkronjat greke nuk do t’i zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë.

    Nëse zyrtarisht identifikohen më shumë se 24 variante, shkronjat greke mbarojnë dhe OBSH-ja do të shpallë një program të ri të emërtimit, tha Van Kerkhove.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!