×
  • Lajme
  • Botë

    Parlamenti Evropian aprovon certifikatën e re për Covid-19

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 15:24

    Dokumenti, i cili mund të jetë në format digjital ose letër, do të vërtetojë se një person është vaksinuar kundër koronavirusit, ose ka një rezultat negativ nga testi i fundit ose është rikuperuar nga infeksioni.


    Parlamenti Europian miratoi pozicionin e tij negociues mbi propozimin e një çertifikate për të rikthyer të drejtën e lëvizjes së lirë në Europë gjatë pandemisë.

    Deputetët e Europës ranë dakord për “çertifikatën e re të BE-së COVID-19”, në vend të Çertifikatës së Gjelbër Digjitale, siç u propozua nga Komisioni. Kjo çertifikatë duhet të jetë në fuqi për 12 muaj dhe jo më gjatë.

    Dokumenti, i cili mund të jetë në format digjital ose letër, do të vërtetojë se një person është vaksinuar kundër koronavirusit, ose ka një rezultat negativ nga testi i fundit ose është rikuperuar nga infeksioni. Sidoqoftë, çertifikatat e BE-së COVID-19 nuk do të shërbejnë as si dokument udhëtimi dhe as nuk do të bëhen parakusht për të ushtruar të drejtën e lëvizjes së lirë, thonë eurodeputetët.

    Propozimi legjislativ që mbulon shtetasit e BE-së u miratua me 540 vota pro dhe 119 abstenime, ndërsa ai për shtetasit e vendeve të treta kaloi me 540 vota pro dhe 80 abstenime. Votimi u zhvillua të mërkurën, me rezultatet që u njoftuan të enjten në mëngjes. Si Parlamenti ashtu edhe Këshilli Europian janë tani të gatshëm të fillojnë negociatat. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje përpara sezonit turistik veror.

    Mbajtësit e një çertifikate të BE-së COVID-19 nuk duhet t’i nënshtrohen kufizimeve shtesë të udhëtimit, të tilla si karantina, vetë-izolimi ose testimi. Eurodeputetët theksojnë gjithashtu që, për të shmangur diskriminimin ndaj atyre që nuk janë vaksinuar dhe për arsye ekonomike, vendet e BE-së duhet të “sigurojnë testime universale, të arritshme, në kohë dhe falas”.

    Parlamenti dëshiron të sigurojë që çertifikata e BE-së të funksionojë së bashku me çdo iniciativë të ngritur nga vendet anëtare, e cila gjithashtu duhet të respektojë të njëjtën kornizë të përbashkët ligjore.

    Shtetet anëtare duhet të pranojnë çertifikatat e vaksinimit të lëshuara në vendet e tjera anëtare për personat e inokuluar me një vaksinë të autorizuar për përdorim në BE nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) (aktualisht Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen), thonë eurodeputetët.

    Do të jetë në dorën e shteteve anëtare të vendosin nëse ata gjithashtu pranojnë çertifikata vaksinimi të lëshuara në vendet e tjera anëtare për vaksinat e listuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për përdorim emergjent.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!