×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti i Azerbajxhanit fal më shumë se 400 të burgosur

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 8:26

    Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka falur më shumë se 400 persona, përfshirë edhe anëtarë të opozitës që konsideroheshin të burgosur politikë nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    Kjo falje presidenciale, e cila është bërë përmes një dekreti të nënshkruar nga Aliyev, përfshin edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ali Insanov, gazetarin Fikret Faramazogli, politikanin opozitar Alikram Khurshidov, nënkryetaren e partisë opozitare Fronti Popullor, Gozel Bayramli dhe Fuad Gahramanli.

    Ish-ministri Isanvo, ishte zyrtar i lartë i partisë në pushtet Partisë për Azerbajxhanin e ri dhe ishte parë si rival potencial i Aliyevit. Ai ishte arrestuar më 2005 nën dyshimin se ka planifikuar një puç dhe është dënuar me dy vjet burgim dhe më pas është akuzuar edhe për keqpërdorim parash dhe ryshfet.

    Sipas kësaj faljeje presidenciale, 399 persona do të lirohen nga burg, 11 të tjerëve do t’u pezullohet dënimi dhe 12 personave të tjerë do t’u pezullohen gjobat. Ndërkaq, 3 persona që janë të dënuar me burgim të përjashtëm, dënimi i tyre do t’u reduktohet në 25 vjet burgim.

    Sipas vendimit të Aliyevit për falje, 14 shtetas të huaj do të lirohen nga burg, përfshirë 3 gjeorgjianë, dy rusë, dy nigerianë, një shtetas i Uzbekistanit, Iranit, Bjellorusisë, Turqisë, Kamerunit dhe Indisë.

    Në Azerbajxhan është e zakonshme që presidenti të falë të burgosurit para festës së vitit të ri persian, Nevruzit, që është më 21 mars.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!