×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti i Ukrainës fton Putinin të takohen në rajonin e luftës

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 12:12

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, sfidon homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke e ftuar të takohen në lindje të Ukrainës, në rajonin Donbass në përpjekje për të nisur bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit dhe përshkallëzimit të tensioneve mes dy shteteve.


    Përmes një video mesazhi Zelenskiy nxiti përkrahësit perëndimorë të Kievit të japin “sinjale të qarta” se ata  do të ishin të gatshëm të mbështesnin vendin në ballafaqimin  me Rusinë.

    Presidenti theksoi se vendi do të mbrohet në çdo moment.

    “A e dëshiron Ukraina luftë? – jo! Por a është Ukraina e gatshme për luftë? – po! A do të ndalojë Ukraina përpjekjet që të arrijë paqen me mjete diplomatike? – Jo, kurrë! Por, a do të mbrohet Ukraina në rast se ndodh diçka? – Gjithmonë! Qëndrimi ynë është i thjeshtë – Ukraina nuk e fillon kurrë e para luftën, por Ukraina qëndron gjithmonë deri në fund.  Ne nuk shkatërrojmë toka dhe njerëz të tjerë. Por kjo nuk do të thotë që ne do të lejojmë të na shkatërrojmë!  Z. Putin, unë jam gati të shkoj edhe më tej dhe ju ftoj të takohemi kudo në Donbas të Ukrainës, ku ka luftë”, u shpreh president i Ukrainës.

    Kiev dhe Moska fajësojnë njëra-tjetrën për shtimin e përplasjeve në Donbass, ku trupat ukrainase luftojnë me forcat e mbështetura nga Rusia në një konflikt që Ukraina thotë se ka nga viti 2014 vrarë 14,000 njerëz, transmeton euronews.albania.

    Ukraina, aleatët e saj perëndimorë dhe NATO e kanë akuzuar Rusinë se ka provokuar duke grumbulluar trupa ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës dhe në Krime.

    Rusia nga ana e saj akuzon Shtetet e Bashkuara dhe NATO për “aktivitet provokues” në rajonin e Detit të Zi.

    Tensionet e shtuara e kanë shtyrë Ukrainën të nxisë vendet anëtare të NATO-s të pranojnë Ukrainën në aleancën ushtarake.

    BE, por edhe SHBA së fundmi kanë bërë thirrje që të ulen tensionet duke i tërhequr vëmendjen herë pas here Rusisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!